Kupa e Shqipërisë/ Gjithç gati për aktin e parë, Tirana e Partizani kërkojnë fitore në transfertë

schedule09:16 - 20 Shkurt, 2024

schedule 09:16 - 20 Shkurt, 2024

Kupa e Shqipërisë është futur në fazën më emocionuese, teksa sot dhe nesër do të luhen takimet e para çerekfinale.

Sot në orën 13:30, Kukësi do të përballet me Partizanit. Verilindorët nuk po kalojnë një moment aspak të mirë dhe fitoren e fundit e kanë pikërisht në Kupën e Shqipërisë ndaj Elbasanit, aty ku avancuan më tej në çerekfinale. Në takimin e parë me të kuqtë, Kukësi do të kërkojë të arrijë një rezultat pozitiv për të shpresuar te kualifikimi.

Në anën tjetër, Partizani në këtë sfidë vjen me moralin e lartë pas triumfit në derbin e kryeqytetit ndaj Tiranës dhe ndaj Kukësit do të synojë fitoren e radhës.

Një takim i fortë është ai mes Teutës dhe Tiranës që do të luhet në orën 17:00. Durrsakët u rikthyen te fitorja në sfidën e fundit ndaj Kukësit dhe tani synojnë të bëjnë mirë edhe në Kupën e Shqipërisë.

Ndërsa Tirana vjen në këtë sfidë pas humbjes në derbin e kryeqytetit dhe do të kërkojë të rikthehet te fitorja në “Niko Dovana” ndaj Teutës.

Të mërkurën në orën 13:30, do të luhen dy ndeshjet e tjera çerekfinale të Kupës së Shqipërisë.

Laçi do të përballet me Egnatian. Në shtëpinë e tyre laçianët do të synojnë fitoren për të shpresuar më pas te kualifikimi në fazën tjetër. Ndërsa Egnatia po zhvillon një sezon fantastik dhe synon sërish të fitojë trofeun e Kupës së Shqipërisë.

Ndeshja tjetër është Erzeni-Vllaznia. Shijakasit nuk po kalojnë një moment të mirë dhe synojnë të rikthehen te fitorja në Kupën e Shqipërisë. Ndërsa shkodranët në javët e fundit kanë një ecuri fantastike dhe objektivi i vetëm mbetet kualifikimi në gjysmëfinalet e Kupës së Shqipërisë. /FSHF 

Çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë:

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!