Në Rusi ka nisur të enjten Kampionati Botëror i ftubollit, për mbarëvajtjen e të cilit presidenti Putin ka vënë bast reputacionin e tij. Por duket se rusët nuk janë kujdesur shumë për ceremoninë e eventit, e cila ndryshe nga më parë ka qenë më e shpejtë dhe më e shkurtër.
Kampionati Botëror i futbollit ngriti të enjten pasdite siparin, me ceremoninë hapëse në stadiumin “Luzhniki” të Moskës, që i parapriu takimit Rusi-Arabi Saudite. Por ndryshe nga ceremonitë e mëparshme, që kanë qenë të gjata dhe me koreografi të larmishme që pasqyronin kulturat e vendit mikpritës, ajo e këtij viti ka qenë diçka më e shpejtë, më e gjallë, por edhe më e shkurtër. Protagonisti kryesor ka qenë pa dyshim këngëtari britanik Robbie Williams, i cili pushtoi skenën e improvizuar në fushën e lojës, ku këndoi hitin e vitit 1998 “Let me entertain you”, por ku edhe nuk hoqi dorë nga zakonet e tij. Ndërkohë, kampioni i Botës i vitit 2010, portieri Iker Kasillas, i shoqëruar nga modelja ruse Natalia Vodianova, bëri dorëzimin e trofeut. Përpara ndeshjes nuk pati fjalime, përveç përshëndetjes së shkurtër të presidentit Putin.
“Rusia është një vend që e do futbollin dhe në fakt, me këtë sport ka qenë dashuri me shikim të parë që në ndeshjen e parë që është luajtur këtu, në vitin 1897”, tha Putin.
Presidenti uroi që tifozët t’ia kalojnë mirë gjatë qëndrimit në Rusi, një vend sipas tij i hapur, mikpritës dhe me njerëz që ndajnë vlerat.
“Kjo lojë spektakolare na bashkon të gjithëve në një skuadër të vetme”, tha Putin. /abcnews.al