Mbrojtësi shqiptar Marash Kumbulla ishte më i miri në fushë në ndeshjen Verona-Milan në Serinë A. Kjo, edhe pse 19-vjeçarit i takoi të mbulonte sulmuesin polak, Piontek
Përballje shumë e vështirë ndaj një skuadre me emër të madhe.
E tillë detyra për Marash Kumbullën, mbrojtësin 19-vjeçar të kombëtares shqiptare, që luajti sërish titullar për Veronën, këtë herë ndaj Milanit.
Në stadiumin “Bentegodi”, ai do të duhej të mbulonte lojtarin më të rrezikshëm kundërshtar, sulmuesin polak, Kristof Piontek, gjë që ai e bëri më së miri.
Edhe pse Piontek ia doli të shënonte, kjo erdhi pas një 11-metërshi, për të cilin Kumbulla nuk pati faj.
Në përfundim nuk munguan vlerësimet pozitive nga mediat italiane.
“La Gazeta delo Sport” i jep notën 6.3, duke e cilësuar si lojtarin më të mirë në fushë për të dyja skuadrat, baraz me mbrojtësin e Milanit, Kalabria.
“Eurosport”, nota 6.5: Jo shumë i saktë me pasimet, por ia del mirë me personalitet, sidomos për moshën e re. Provë shumë e mirë mbrojtëse, edhe pse duhej të mbulonte Piontekun.
“Kalçomerkato”, nota 6: I vetmi që bën diçka edhe atëherë kur ndeshja dukej plotësisht e kompromentuar.
Fundjavë shumë e mirë edhe për sulmuesin e kombëtares, Sokol Cikalleshi, që realizoi gol në Turqi.
Futbollisti kavajas i dha fitoren Akhisarsporit në derbin ndaj Memenen Beledijesporit, duke shënuar me penallti.
E veçanta ishte se Cikalleshi pati përballë ish-portierin e Laçit, gjithashtu në kombëtare, Gentian Selmani.
Të dy shqiptarët u takuan dhe darkuan së bashku pas ndeshjes së ligës së dytë, siç tregon fotoja e postuar nga Cikalleshi.
Gol shqiptar edhe në Bjellorusi, ku Elis Bakaj nuk ka ndërmend të ndalet.
Sulmuesi 32-vjeçar i dha fitoren Shahtiorit të Soligorskut në fushën e Isloçit, duke shënuar golin e vetëm të ndeshjes me penallti.
Kjo ishte rrjeta e 9-të e Bakajt, një nga shënuesit më të mirë të kampionatit, ndërsa Soligorsku është në vendin e tretë në renditjen e Premier Ligës./ABC News Albania 24/7