Kultivoi 4 mijë bimë kanabis, Prokuroria e Lezhës kërkon 9 vite burg për ish-zyrtarin në arrati

schedule12:20 - 9 Tetor, 2022

schedule 12:20 - 9 Tetor, 2022

Prokuroria e Lezhës ka kërkuar dënimin me 9-vite burg të ish-kreut të Njësisë Administrative Ungrej Gëzim Kola, i vënë nën akuzë për kultivim të bimëve narkotike.

Konkluzionet janë dhënë nga prokurori Françesk Ganaj, ndërsa i pandehuri vijon të jetë në arrati.

Sipas dosjes hetimore ish-zyrtari i pushtetit vendor ka konsumuar veprën penale “Kultivimi i bimëve, narkotike” kryer në bashkëpunim, ndërsa për dy personat e tjerë të ndjerin Kastriot Luka dhe shtetasin Gjergj Ndreca prokuroria ka kërkuar pushimin e akuzës, pasi Luka ka ndërruar jete, ndërsa për Ndrecën nuk është arritur të provohet përfshirja e tij në kultivimin e kanabisit.

Pjesë e kësaj dosje është edhe kryeplaku i fshatit Ungrej, Zef Boci, por çështja ndaj tij është veçuar dhe po gjykohet në Gjykatën e Lezhës për veprën penale “Shpërdorim Detyre”.

Hetimi nisi pas zbulimit dhe asgjësimit të rreth 4 mijë bimëve kanabis sativa nga Forcat Speciale RENEA në qershor të vitit 2021 në zonën e Ungrejt në Lezhë./Abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!