Sondazh

Në SPAK nis epoka Braho:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kulla 200-vjeçare e Krujës/ Monumenti i harruar dhe historia e një çifti të moshuarish që jetojnë aty

schedule20:43 - 13 Dhjetor, 2025

schedule 20:43 - 13 Dhjetor, 2025

KRUJË- Në një nga lagjet e vjetra të Krujës, aty ku kalldrëmet mbajnë ende hapat e historisë, ngrihet një kullë rreth 200-vjeçare. E përkulur nga koha, por ende krenare, ajo mban në gjirin e saj jetën e dy të moshuarve: Xhevat Gjana dhe bashkëshortes së tij, Lirijes, trashëgimtare e familjes Kuqi, dikur ndër tregtarët më të njohur të qytetit.

Ndërtesa, dikur një nga më të veçantat e Krujës, u dëmtua rëndë nga tërmeti i gjashtë viteve më parë. Që atëherë, asnjë dorë restaurimi nuk ka prekur muret e saj, edhe pse objekti ka vlera të jashtëzakonshme historike.

Xhevati , ish-mësues, i qetë në fjalë, por i fortë në kujtime tregon se fati e solli në këtë shtëpi pas shumë vështirësish.

“Më solli halli këtu. Dola nga burgu, hoqën dorë nga internimet, por quheshin dëbime. U kombinova me operativin… këtu ishte kufi, më thanë gjej futu thellësi. Me ndërmjetësi, Bajram Berlikën, mbaruam ushtrinë dhe më tha ‘do shkojmë në Krujë’. Me atë ndërhyrje u martova me Lirijen. 45 vite kemi qëndruar bashkë.”

Historia e kullës e ka rrënjën te familja e Lirijes.

“E ka ndërtuar gjyshi i Lirijes, pastaj djemtë e vet. Dy trashëgimtarë ka kjo kullë.”

Por vitet e komunizmit lanë gjurmën e tyre.

“Ka qenë monument kulture. Shteti e sekuestroi. Xheladinin, trashëgimtarin, e pushkatuan. E quajtën shfrytëzues të popullit… se ka përfaqësuar kapitalizmin”

Sot, Xhevati tregon çdo dhomë të kullës me një pasion që duket sikur ringjall historinë. Ai hap derën e parë, tashmë të dëmtuar, dhe tregon dokumentet e vjetra të gjetura dikur.

“E pata gjetur vendimin e kësaj shtëpie, projektin me shumë sqarime. Ka qenë monument kulture i kategorisë së parë. Jo për bukuri, por për histori. Tregon jetën e një qytetari, të një krutani”

Sipër, dhomat janë si një libër i hapur i traditës së Krujës: dhoma e mysafirëve, dhoma ku flinin vajzat, hapësira ku gratë qëndronin të fshehura që të mos i shihnin të huajt.

“Gratë rrinin të fshehura. Këtu vinin miqtë, shtroheshin dyshekët, jorganet, gjithçka e sistemuar. Kjo është e veçanta. Burrat futeshin këtu, luanin, bënin pazare. Muhabetet nuk bëheshin në praninë e familjarëve të tjerë. Kjo quhej dhoma e miqve. Në këto dritare mbanin kafen”

Pamja origjinale e jashtme e godinës është e bukur, por brenda është shkatërruar, e megjithatë, çifti nuk e braktis dot.

“Gruaja merret me lulet… unë me profesion jam mësues.”

Për t’u rikthyer në shkëlqimin e dikurshëm, kjo kullë kërkon ndërhyrje të specializuar, ndaj Xhevati apelon ndaj institucioneve që të investojnë dhe rindërtojnë këtë godinë me vlerë historike për Krujën/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!