Kuleba: Kushdo që blen gaz me rubla po ndihmon Rusinë të na vrasë

schedule09:35 - 24 Mars, 2022

schedule 09:35 - 24 Mars, 2022

Ministri i Jashtëm i Ukrainës ka reaguar pas deklaratës së bërë nga lideri rus Vladimir Putin i cili tha të mërkurën se vendet që nuk janë “miqësore” me Rusinë do duhet ta blejnë gazin me rubla.

Në një postim në Twitter, Dmytro Kuleba shprehet se çdo vend anëtar i BE-së që pranon “kërkesat poshtëruese” të Rusisë, është duke ndihmuar pushtuesin që të vrasë më shumë në Ukrainë.

“Nëse ndonjë vend i BE-së dorëzohet ndaj kërkesave poshtëruese të Putinit për të paguar naftën dhe gazin në rubla, do të jetë si të ndihmosh Ukrainën me njërën dorë dhe të ndihmosh rusët të vrasin ukrainasit me anën tjetër. Unë u bëj thirrje të gjitha vendeve të bëjnë zgjedhje të zgjuara dhe të përgjegjshme”.

Kujtojmë se dje Putin tha se vendet të cilat nuk janë miqësore me Moskën do të duhet të blejnë  gazin rus me rubla.

Ai i dha bankës qendrore ruse një javë kohë për të gjetur një mënyrë për t’i konvertuar pagesat në rubla. Sipas Putin, ndryshimi do të prekë vetëm pagesat dhe se vendet do të vazhdojnë të furnizohen me gaz në përputhje me kontratat ekzistuese.

Ende nuk është e qartë se cili do të jetë ndikimi i këtij vendimi. Putin tha se ngrirja e aseteve ruse nga vendet perëndimore ka shkatërruar besimin dhe se ekonomia e vendit të tij është goditur rëndë nga sanksionet e vendosura nga Perëndimi. /abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!