Në protestën që u zhvillua para komisariatit të Kukësit kryetari i Këshillit Bashkiak Gjelbërim Shehu deklaroi se protestat do të vazhdojnë. Kërkesat e tyre janë lirimi i 11 personave të ndaluar dhe të hiqet tarifimi i rrugës së Kombit për rajonin e Kukësit.
Kukësi nuk po qetësohet. E enjtja mbasdite kuksianët i gjeti para komisariatit. Kërkojnë lirimin e 11 vëllezërve të tyre që gjykata i la në burg.
Madje ata kanë menduar edhe për familjet e të arrestuarve në gjendje të vështirë ekonomike.
“Shoqata e biznesit me vendimin e bordit drejtues ka vendosur të hapë një llogari bankare për mbledhjen e fondeve në ndihmë të familjarëve të personave të ndaluar në protestën ëpr rrugën e kombit”.
Kryetari i Këshillit Bashkiak të Kukësit paralajmëron protesta pa afat deri në heqjen e tarifës për rrugën e Kombit.
“Nënvizojmë vendosmërinë tonë për të vazhduar lëvizjen paqësore deri në përmbushjen e qëllimit për heqjen e taksës, vetëm për rajonin tonë”.
Personat që mbahen të ndaluar në qelitë e komisariatit të Kukësit akuzohen për kundërshtim të forcave të rendit dhe shkatërrim i pronës.
/abcnews.al