Kukësi shkon për fitore në fushën e Flamurtarit

schedule16:55 - 28 Gusht, 2019

schedule 16:55 - 28 Gusht, 2019

Kukësi shkon për fitore në fushën e Flamurtarit, në ndeshjen e sotme të Superligës, në orën 19:00. Pas fitores me Partizanin, trajneri Duro kërkon vazhdimësi, por edhe vlonjatët nuk duan që të dorëzohen.

Padyshim që emocion ka, pasi kthehet shpejt aty. Shpëtim Duro do të vihet sot përballë Flamurtarit, madje brenda në Vlorë, ndërsa dy sezone më parë ishte trajner i kuqezinjve.

Pas një përvoje në Kosovë, ja ku vjen si kundërshtar në stolin e Kukësit për ndeshjen e Superligës që luhet në 19:00. Duke folur për mediat, tekniku tiranas theksoi se po kthehej me nostalgji në Vlorë, ku është vlerësuar dhe respektuar për sa kohë punoi aty.

Gjithsesi, Duro pohon se ashtu si në çdo ndeshje tjetër, do të kërkohet tripikëshi. Trajneri vlerësoi lart paraqitjet e bëra ndaj Partizanit, në Superkupë dhe në kampionat, si dhe fitoren e fundit, duke kërkuar vazhdimësi.

Kukësi tashmë do të ketë edhe një lojtar të ri, Kristal Abazajn, që u prezantua nga drejtori sportiv, Nexhipi, ndërsa pritet që të luajë direkt në formacion, ose të paktën të jetë i gatshëm për ndeshjen.

Kukësi është më i plotësuar me ardhjen e Abazajt, Kotobellit dhe afrikanit Obanor, pavarësisht largimeve në mbrojtje dhe dëmtimit të kapitenit Musolli.

Flamurtari, ndërkaq, e pret ndeshjen në pozita të vështira. Skuadra dihet që është krijuar vonë, dhe gjithashtu vonë ka nisur punën përgatitore, duke mos qenë gati për nisjen e kampionatit. Gjithsesi, trajneri Sadedini, kërkon sukses pas humbjes në Korçë.

Sadedini shqetësohet se, me gjendjen që ka skuadra, tri ndeshje në gati një javë janë shumë dhe mund të ndikojnë për keq./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!