Kukësi rrezikon deri në 8 ndeshje pa tifozë

schedule16:45 - 27 Janar, 2019

schedule 16:45 - 27 Janar, 2019

Kukësi pritet të dënohet rëndë pasi tifozët e tij goditën arbitrin anësor në ndeshjen ndaj Laçit. Kodi i Displinës parashikon ndëshkim të ashpër.

Është skuadra më “emigrante” e kampionatit, por mund ta pësojë edhe më keq. Mjaftoi një send i fortë në kokën e një arbitri që Kukësi të rrezikojë seriozisht në vazhdimin e Superligës, për të mos pasur me vete edhe ata pak tifozë që e ndjekin. Përkrahës kuksianë goditën gjyqtarin anësor Denis Rexha, në sfidën ndaj Laçit në Kamzë, në stadiumin që quhej i Kukësit dhe rregullorja parashikon dënim të ashpër për një veprim të tillë.

Neni 66 i Kodit të Disiplinës Sportive, në pikën 3d, parashikon që një ekip dënohet me jo më pak se 8 ndeshje pa luajtur në stadiumin e tij. Rasti i kuksianëve është specifik, pasi takimet nuk luhen në Kukës, pra dënimi mbetet vetëm për t’i zhvilluar pa spektatorë.

Neni 66 ka edhe pikën 3b, që parashikon jo më pak se 4 ndeshje jashtë fushe, por kur nuk ka akte dhune ndaj zyrtarëve të ndeshjes, ndaj për bazë duhet të merret pika 3d. Në ndeshjen ndaj Laçit, gjyqtari Rexha u godit dhe u rrëzua në tokë, pati ndëpreje për disa minuta, por për fat arbitri u ngrit dhe vazhdoi detyrën deri në fund.

Gjithsesi, mjafton goditja, hedhja e sendeve të forta brenda rrethimit të fushës, dhe ndërprerja e takimit, që Komisioni i Disiplinës të marrë vendim. Ky pritet të jetë një minus tjetër i madh i Kukësit, që nuk luan në Kukës, ndërsa trajneri Cungu ka edhe problemin e Rezhinaldos, sulmuesit kryesor që nuk ishte as në stol ndaj Laçit, dhe që nuk dihet mirë nëse është i dëmtuar, i dënuar, apo vetë ai nuk dëshiron që të luajë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!