Kukësi prezanton Cuculin dhe lojtarin e Juventusit, Ture

schedule17:48 - 13 Gusht, 2018

schedule 17:48 - 13 Gusht, 2018

Kukësi ka prezantuar dy lojtarë të tjerë të afruar në ekip. Bëhet fjalë për Ardian Cuculin e ardhur nga Shkëndija e Tetovës dhe për afrikanin Ture, të huazuar nga Juventusi.

Momenti nuk është nga më të mirët. Kukësi pësoi një disfatë të rëndë në Ligën e Europës pak ditë më parë, duke qenë në prag të eleminimit, por presidenti Safet Gjici duket se nuk heq dorë nga ambiciet e tij.

Përpara sesa të vijë takimi i kthimit në turin e tretë eleminator, nënkampionët e Shqipërisë bënë prezantimin e dy lojtarëve më të fundit të afruar, Ardian Cuculit dhe Omar Turesë, ky i fundit i huazuar nga Juventusi.

Në konferencën për shtyp, toni u dha pikërisht nga Presidenti.

“Me ardhjen e Cuculit dhe Turesë, besoj që do ketë një impuls të ri në skuadër, nuk do ndalojmë këtu, do ketë surpriza të tjera dhe goditje në sulm e mesfushë”.

Përqëndrimi për momentin është i gjithi në Europë ndaj Torpedos gjeorgjane.

“Jam i bindur që me këtë grup që kemi, ky ekip mund të kalohet, rezultati është i vështirë”

Cuculi është ambicioz pas sukseve vjet me Shkëndinë e Tetovës.

“Unë sezonin e fundit kam qenë kampion i dyfishtë dhe unë vij për të ndihmuar ekipin, për të arrit objektivat, që Kukësi e ka dëshmuar se është pretendent për titullin kampion”.

Nga Juventusi te Kukësi, një ndryshim i madh, por si i duket Omar Turesë?

“Për mua është një aventurë tjetër dhe jam shumë i lumtur, – u shpreh ai, – Duhet të bëj gjithçka për të ndihmuar skuadrën”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!