Kukësi nuk është ende i kënaqur me përforcimet, pavarësisht afrimit të dy lojtarëve të rëndësishëm. Klubi verior kërkon të marrë një tjetër sulmues.
Shumëkush mendon se nuk i duhet gjë tjetër për titullin. Me Shkurtajn dhe Rrocajn, Kukësi bëri goditjet më të bujshme në janar, madje ka frikë për konkurrencën, veçse presidenti Gjici nuk duket i kënaqur.
Burime pranë presidentit kuksian bëjnë me dije për ABC News-in se pritej edhe një tjetër afrim, madje sërish në sulm. Këto ditë u diskutua për rivalitetin mes Shkurtajt dhe Rezhinaldos, duke u quajtur problematik për trajnerin Cungu, por Gjici mesa duket mendon se sulmi nuk është ende aty ku duhet.
Për momentin, nuk tregohet se cili mund të jetë lojtari i ri ofensiv, por pistat e vetme janë ato jashtë Shqipërisë, ndërsa problemi kryesor për presidenti mësohet se është rroga. Kukësi nuk u druajt për shpenzimet, duke qenë agresiv, e duke i dhënë Luftëtarit gati 130 000 euro për kartonin e Shkurtajt e të Rrocajt, plus një shumë tjetër të madhe për rrogat.
Klubi verior mësohet se u tregua më i shpejtë dhe më konkret sesa Partizani, që fillimisht ishtë favorit për të marrë ish-lojtarët e Luftëtarit. Ambiciet janë të mëdha, ndërsa shanset për të fituar titullin ekzistojnë që të gjitha, pasi skuadra e Cungu është në vendin e dytë në Superligë, vetëm tri pikë prapa kryeqytetasve. /abcnews.al