Kukësi mundet nga Lushnja në shtëpi

schedule15:39 - 9 Dhjetor, 2017

schedule 15:39 - 9 Dhjetor, 2017

Disfatë e rëndë e Kukësit në Superligën shqiptare dhe rrezikim i kualifikimit të paktën për në Europë. Skuadra kampione u mposht në fushën e vet, 1-3 nga Lushnja

Nuk ishte momenti për të humbur, madje as për të lënë pikë.

Pavarësisht krizës, askush nuk besonte se Kukësi kampion do të pësonte disfatë në shtëpi me Lushnjen e vendit të fundit, por pikërisht kjo ndodhi.

Skuadra e drejtuar nga Mladen Milinkoviç u mposht 1-3 duke e vënë edhe më shumë në rrezik objektivin minimal të sezonit, kualifikimin për në Ligën e Europës nga Superliga.

Paraqitja ishte e tillë që nuk mund të thuhej me siguri nëse ishte vetë skuadra që luajti ashtu për të larguar trajnerin, apo i tillë është kapaciteti i kampionëve të Milinkoviçit.

Myzeqarët luajtën si në shtëpinë e tyre, krejt ndryshe nga përballja e kaluar kur u mundën në Lushnje 0-3 nga Partizani.

Kaluan në avantazh me anë të Prençit, patën raste, dhe nuk u tronditën aspak kur Kukësi barazoi me nisjen e pjesës së dytë.

Golit të Bakajt iu përgjigj veterani Sefa.

Kapiteni lushnjar, sulmuesi kryesor i ekipit realizoi dy herë, duke e bërë të sigurt fitoren dhe duke i dhënë shpresë skuadrës së trajnerit Hysen Dedja se mund të luftojë edhe për mbijetesë.

Edhe pse në vendin e fundit, Lushnja nuk është shumë larg zonës që të mban në Superligë.

Sa për Kukësin, ky mund të quhet fillimi i fundit.

Do të jetë e vështirë që kjo skuadër të arrijë Europën, duke pasur parasysh rivalitetin me Kamzën, Flamurtarin, Partizanin dhe pse jo edhe me Laçin./abcnews.al