Pas peripecive me vizat e lojtarëve, Kukësi zhvilloi stërvitjen e fundit para ndeshjes me Torpedon në Gjeorgji. Armando Cungu në konferencën për shtyp tha se mungesa e disa titullarëve e ka detyruar të bëjë ndryshime në ekip.
Mungesat para ndeshjes me Torpedon që do të luhet sot në Tbilisi ka shqetësuar trajnerin Armando Cungu. Dy prej tyre Valon Et’hemi dhe Edis Maliqi mbetën peng i vizave, ndërsa Faton Maloku dhe Reginaldo i janë bashkuar grupit. Ky i fundit udhëtoi gjatë natës dhe vetëm në orët e para të së enjtes mbërriti në Tbilisi.
Armando Cungu, Trajner i Kukësit: “U gjendëm para një situate që ishim tërësisht të papërgatitur, kështu që u desh të miksonim diçka”.
Trajner i Kukësit Armando Cungu në konferencën e djeshme, deklaroi se nuk ishte i sigurtë se për sa minuta mund të aktivizohet Reginaldo.
Armando Cungu Trajner i Kukësit: “Do të komunikojmë me sportistin se si do të ndihet. Do të jetë loja ajo që do të më japë mundësinë mua për të menduar se sa minuta do t’i jap lojtarit, kështu që është pak e parakohëshme që të jap një përgjigje përfundimtare për minutazhin e Reginaldo”.
Pas eliminimit nga Champions League Kukësi do të ecë në Europa League dhe për të kaluar në fazën play off do të pritet të bëjë një lojë më sulmuese ndaj Torpedos. Takimi do të nisë në orën 19:00. /abcnews.al