Kukësi ka gati fushën për ndeshjen me Skënderbeun

schedule21:28 - 27 Shkurt, 2018

schedule 21:28 - 27 Shkurt, 2018

Kukësi është i kënaqur që ndeshja ndaj Skënderbeut do të luhet sipas parashikimit në stadiumin “Zeqir Ymeri”. Trajneri Peter Pakult mendon se skuadra e tij mund t’ia dale.

Nuk donin që sfida të shtyhej.

Kuksianët kërkojnë ta luajnë siç planifikohet ndeshjen e fundit në stadiumin e tyre, atë më të fortë ndaj Skënderbeut, dhe dëshira do t’u plotësohet.
Pavarësisht reshjeve të borës, klubi vendas mori masa që fusha të pastrohej dhe në Kukës besojnë se është gati.

Ekziston frika se mos ajo ndihmon më shumë kampionët ndaj kryesuesve, por trajneri Peter Pakult mendon ndryshe.

Peter Pakult: “Duhet të shohim sesi do të jetë fusha kur të shkojmë dhe të luajmë atje. Gjithsesi, duhet të keni parasysh se ne i bëjmë stërvitjet në fushë të mirë pranë Tiranës, ndaj dhe unë nuk e shoh fushën me bar sintetik apo pak me borë si avantazh për ne. Ajo i pengon të dyja skuadrat, pengon që të luhet një lojë shumë e mirë, por ne do të përpiqemi të jemi aty ku duhet dhe të fitojmë”.

Ndaj Skënderbeut padyshim që pritet e vështirë, por Pakult ka besim tek skuadra e tij që kohët e fundit nuk po paraqitet aspak keq në Superligë.

Peter Pakult: “Tri ndeshjet e fundit ishin shumë pozitive për ne, dhe shpresojmë që këtë ecuri ta vazhdojmë edhe ndaj Skënderbeut. Luajmë ndaj kryesuesve, që kanë distancë me ne, por besojmë se mund t’ia dalim. Përsa i përket mungesave të Skënderbeut, dua të them se ndonjëherë ato janë minus edhe për kundërshtarin, pasi motivohet më pak. Këtë histori e patëm dy ndeshje më parë, ndaj Partizanit, që kishte mungesa, dhe ndeshja doli e vështirë, pavarësisht se fituam. Personalisht mendoj se është më mirë kur rivali ynë luan me ekip të plotë”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!