Kukësi fiton në Gjirokastër, ngjitet në vend të 3-të në Superligë

schedule19:01 - 1 Dhjetor, 2018

schedule 19:01 - 1 Dhjetor, 2018

Të luash një pjesë loje në inferioritet numerik, nuk është gjë e vogël. Kështu i qëlloi Luftëtarit në ndeshjen në shtëpi për Superligën ndaj Kukësit, dhe kjo e dënoi me humbje.

Kartoni i dytë i verdhë, pra i kuqi për Ramadanin në minutën e 47-të, bëri që Kukësi të merrte epërsinë e lojtarëve në fushë, ndonëse nuk arriti ta shfrytëzonte veçse në fund.

Goli i fitores për veriorët erdhi vetëm në minutën e 88-të me anë të Valon Etemit, por kaq mjaftoi që skuadra e trajnerit Armando Cungu të merrte tripikëshin dhe të ngjitej në vend të tretë në kampionat, qoftë edhe përkohësisht.

Si për ironi, Kukësi luajti më mirë në pjesën e parë, kur numri i lojtarëve ishte i barabartë.

Edhe pse në fushë kundërshtare, ia doli të ushtronte presion dhe të ishte i rrezikshëm pranë portës vendase.

Luftëtari u përpoq gjatë gjithë ndeshjes, dhe u mbajt mirë edhe kur ishte me 10 vetë, por përfundimisht nuk ia doli.

Trajneri Gentian Mezani nuk po arrin të marrë rezultatet e vjetshme, kur ishte tek Laçi, dhe ndoshta gjirokastritët kanë probleme në klub, që I pengojnë t’i marrin maksimumin skuadrës.

Pas kësaj fitoreje, Kukësi ka 27 pikë, 7 pikë larg Partizanit kryesues, ndërsa Luftëtari mbeti në vendin e 7-të me 13 pikë, dy më shumë sesa Tirana. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!