Kukësi mbetet me pretendime në Superligë pavarësisht diferencës së madhe me Partizanin. Trajneri Ernest Gjoka mbetet optimist në prag të ndeshjes së vështirë ndaj Flamurtarit.
Prova e parë u kalua me sukses, por tani vjen e dyta.
Nuk ka kohë për t’u kënaqur te Kukësi, dhe këtë e di mirë trajneri Ernest Gjoka, I katërti në këtë skuadër që nga muaji korrik.
Laçi i përket së kaluarës, ndërsa tani vëmendja është plotësisht tek Flamurtari, një kundërshtar I fortë.
Çfarë kërkon Gjoka nga kjo ndeshje e Superligës?
“Ne nuk mendojmë humbjen, mendojmë rezultat pozitiv. Ndeshjet janë të paparashikueshme, por ne mendojmë pozitivisht për të arritur objektivin tonë”.
Flamurtari vjen pas një fitoreje kuptimplotë ndaj Teutës, dhe është ambicioz në vend të tretë.
“Flamurtari është emër i madh ne futbollin shqiptar. Ekip me lojtarë që kanë cilësi dhe trajner kampion dhe shkalla e vështirësisë rritet. E vlerësoj punën e trajnerit Daja se në të njëtën situatë kam qenë në 2013 -14, por e vlerësoj se nuk kanë ç’ humbin”.
Diferenca me Partizanin kryesues është 9 pikë, pra a ka ende objektiva Kukësi me Gjokën?
“Kukësi është ekip i projektuar që në fillim për kampion. Ne po luftojmë që deri në fund të kampiontit ta vëmë në trysni Partizanin. Shpresoj të hapim kampionatin, të shkojmë në finale të Kupës dhe pse jo trofeun”.
Trajneri informoi se Besar Musolli, kapiteni dhe lojtari i rëndësishëm për shumë vite, mund të luajë titullar, pasi la prapa dëmtimin, dhe kaloi me sukses provën 30-minutëshe ndaj Laçit./abcnews.al