Kukësi nuk arriti më shumë se një barazim me Teutën, në ndeshjen e Superligës luajtur në “Selman Stërmasi”. Veriorët humbën një tjetër mundësi për të qendruar pranë kreut.
Plot tri ndeshje pa fitore, dhe zbritje në renditje. Kukësi nuk doli dot më shumë se barazim me Teutën, në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe mbeti në vendin e pestë në Superligë, duke humbur shansin për të qenë I treti. Nuk është një rënie dramatike, pasi skuadra e trajnerit Cungu ka 21 pikë pas 13 javëve, dhe është vetëm 1 pikë larg Teutës e Laçit, por golat dhe fitoret janë shumë të vështira për kuksianët. E vërteta është se ekipi që quhej vendas ishte gjatë gjithë kohës në sulm, duke dominuar me lojë, por pa qenë i saktë para portës.
Madje pati protesta për një rrjetë të realizuar nga Rezhinaldo në pjesën e parë, kur ishin në avantazh durrsakët. Goli u anulua për pozicion jashtë loje, por pamjet me përsëritje treguan se ai mund të cilësohej i rregullt. Teuta u tregua cinike, duke realizuar në një nga aksionet e pakta, sërish me goditje dënimi, ashtu siç bëri edhe ndaj Flamurtarit. Përpjekjet e Kukësit sollën vetëm barazimin, menjëherë pas pushimit, por jo më shumë se kaq. Këtij ekipi i mungon diçka, dhe pyetja është çfarë.
Trajneri Cungu mendon se dëmtimet kanë prishur ekuilibrin dhe kanë ndryshuar skemat e lojës, ndërsa tek lojtarët ka presion të madh për rezultatin. Duket se këtë vit nuk mund të plotësohet dëshira e presidenti Gjici për të luftuar për titull, ndërsa duhen bërë mirë llogaritë me Teutën, Laçin dhe Flamurtarin për kualifikim në Ligën e Europës./abcnews.al