Plot 17 trajnerë janë larguar nga skuadra e Kukësit që prej vitit 2010. Statistikë, e cila tregon një rrotacion të vazhdueshëm të klubit verilindor me trajnerë të ndryshëm.
Kukësi ka vërtetuar në vazhdimësi se ka një raport tejet të ftohtë me trajnerët. Këtë e tregojnë edhe shifrat. Duke nisur nga viti 2010 nga Kukësi janë larguar plot 17 trajnerë duke përfshirë dorëheqjet dhe shkarkimet nga bordi drejtues.
E thënë ndryshe mesatarja e ndryshimeve në pankinën e klubit verilindor janë dy trajnerë në vit. Vendimi i klubit për të shkarkuar trajnerin Ernest Gjoka pasi dështoi të korrte sukses në kupat e Europës nuk është i vetmi pasi regjistrohen edhe precedentë të mëparshëm.
E si për ironi të fatit ishte pikërisht tekniku Gjoka, i cili u shkarkua nga klubi verilindor dy vite më parë për të njëjtin shkak, dështimin në Europë. Presidenti Gjici nuk e kurseu trajnerin edhe pse e shpalli Kukësin kampion për herë të parë në histori.
Një tjetër trajner shqiptar u shkarkua në verën e vitit 2016 nga skuadra e Kukësit pas dështimit në kupat e Europës. Bëhet fjale për trajnerin Hasan Lika eksperienca e të cilit me verilindorët zgjati vetëm 3 muaj.
Shkarkimet në masë tek Kukësi nuk kanë ardhur vetëm si pasojë e mos arritjes së objektivave në Europë, por edhe dështimeve në Shqipëri./ABC News Albania 24/7