KUKËS- Reshjet e para të dëborës për këtë sezon kanë zbardhur zonën e Shishtavecit në qarkun e Kukësit, duke shënuar fillimin e “dimrit” në zonat malore të Shqipërisë.
Kryeministri Edi Rama ka ndarë foto nga dëbora në Shishtavec. Ai thekson se Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) dhe kompanitë e mirëmbajtjes kanë marrë të gjitha masat për të garantuar qarkullimin normal të mjeteve.
Sipas Ramës, që në orët e para të mëngjesit, janë angazhuar mjete borëpastruese dhe skuadra punonjësish në terren, veçanërisht në aksin Ura e Zapodit- Shishtavec dhe në zonën e Thethit.
“Zbardhet Shishtaveci, bie bora e parë në Kukës. Ndërkohë janë marrë të gjitha masat nga #ARRSH dhe kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve, për të qenë në terren, me mjetet borëpastruese dhe skuadrat e punonjësve që prej orëve të para të ditës së sotme në aksin Ura e Zapodit–Shishtavec dhe në Theth. Aktualisht qarkullimi vazhdon normalisht në të gjitha akset nacionale”, shkruan Rama.
Zonat si Shishtaveci dhe Thethi janë ndër më të prekshmet nga reshjet e borës gjatë sezonit dimëror, ndaj ndërhyrjet e hershme janë vendimtare për të garantuar sigurinë rrugore dhe aksesin e banorëve lokalë./abcnews.al

