Për fermerët në Kukës sezoni i mbjelljes në bujqësi ka nisur me vonesë për shkak të ndryshimeve të klimës. Ata nuk janë të sigurtë nëse do të kenë prodhim të mirë, por duan të paktën të sigurojnë nga toka e tyre bukën dhe ushqimin.
U desh fare pak përmirësimi i motit që fermerët në Kukës të dalin në fushë. Janë shumë vonë për të mbjellat, por deri më sot temperaturat dhe reshjet nuk i kanë favorizuar.
Vjeshta mbajti shumë thatë, kurse shiu i fundit më shumë u prishi punë. U mori më tepër kohë.
“Ne po bëjmë frezë, po qesim edhe dapin dhe po fillojmë mbjelljet”.
Kostot janë të larta e megjithatë tokën nuk e lënë djerrë. Ilmiu është fermer i vjetër, por thotë se farërat nuk kanë siguri. Sot nuk ka kujdes dhe as standarde për to dhe pesticidet. Gjithësesi, ata shprehen se toka duhet punuar e duhet marrë prodhimi sado i pakët të jetë. Është shumë e rëndësishme që të sigurojnë bukën dhe ushqimin.
“Farat e sotme e pesticidet janë si dita me natën me më përpara, për çmimin po të bëhet llogari me prodhimin jek e jek dalin”.
Ndryshimet e klimës kanë ç’orientuar jo vetëm fermerët e Kukësit. Prej disa vitesh kanë ndërruar dhe kohët e proceseve në bujqësi. Fshatarët po tentojnë të përshtaten duke u konsultuar edhe me specialistët. Por megjithatë në këto kohëra ata duhet të rriskojnë, mjafton që toka të mos mbetet e pambjellë.
Gazetar i ABC News, Kukës: Bujar Muçmata
/abcnews.al