Kukës, çfarë ndodh në plantacionin e vetëm me qershi autoktone

schedule15:40 - 20 Maj, 2019

schedule 15:40 - 20 Maj, 2019

Në Kukës ekziston një parcelë e vetme me qershi autoktone. Selam Cena e shpëtoi atë 30 vjet më parë, kohen kur pemët i prenë me sëpatë. Sot qershitë e tij tregtarët vijnë dhe i marrin në fermën e tij, pa pasur nevojë që ai të nxjerrë prodhimin në treg.

Në këto pemë të qershive nuk u vu sëpata. Dhe duhet të jetë e vetmja parcelë autoktone. Deri në vitet ‘90 në Kukës ishin qindra hektarë të tilla. Por asgjë nuk u kursye. Selam Cena, zgjodhi ta mbronte pjesën e tij nga shkatërrimi. Prej vitesh, ai këtu siguron ekonominë për familjen.

“Për periudhën që kam kaluar, menaxhimi ka qenë i vështirë sepse ishte një moto e keqe për të shkatërruar sistemin e kaluar, për të prish gjithçka”, tha ai.

Kjo qershi ka shumë pak gjasa të gjendet kund tjetër. Nuk kanë pesticide dhe lëndë të huaja. Selami thotë se përdor spërkatje njëherë në tre apo në pesë vjet. Ndaj cilësia e bën atë ndër më të kërkuarat. Por Cena nuk shkon në treg. Me emrin e krijuar, blerësit vijnë këtu në plantacion.

“Vijnë këtu sepse marrin pas cilësisë. Tregu ka pjesën e vet, por kjo është bio. Në dy, tre apo pesë vjet bëj spërkatje sepse nuk e ka të nevojshme për spërkatje të përhershme”, tha Cena.

Për Selam Cenën nuk ka qenë e lehtë. Menaxhimi një parcele të tille ka kosto. Por sot, ai ka sukses dhe gjatë sezonit punëson 10 punëtorë.

“Në ditët e vjeljes kemi punëtorë, 5 apo 10 punëtorë, sipas vjeljes”, tha ai.

Tregon se  rigjenerimin e parcelës e bën me metodat tradicionale të kultivimit, duke ruajtur e shartuar fidanë të rinj nga qershitë mëmë.

“Edhe kjo është autoktone. Ka të gjitha cilësitë e mëmës. Kur të bëhet shartimi i saj gëzon të gjitha cilësitë e mëmës, e pjesës që është në prodhim”, tha Cena.

Kjo lloj qershie ka jetëgjatësi të paktën 60 vite në prodhim, e më e pakta e këtij prodhimi shkon 100 deri 150 kilogramë për rrënjë. Qershitë nuk mungojnë në verilindje, por ajo çfarë prodhohet nga plantacioni i Cenës nuk ka konkurrencë. Shitjet janë të garantuara./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!