Kukan: Receta për protestat e studentëve kalon përmes dialogut

schedule17:20 - 24 Janar, 2019

schedule 17:20 - 24 Janar, 2019

Eurodeputeti  Eduard Kukan shprehet në një intervistë eskluzive për ABC News, se protesta e studentëve në Shqipëri duhet të merret seriozisht nga qeveria. Për Kukan, receta e zgjidhjes së situatës kalon përmes dialogut dhe studentët nuk mund t’i vendosin ultimatume qeverisë.

Protestat e studentëve në Shqipëri vazhdojnë prej më shumë se 5 javësh, fillimisht të përqëndruara në sheshe dhe më pas në gjirin e disa fakulteteve. Studentët kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave nga qeveria e Shqipërisë dhe janë të gatshëm madje të fillojnë grevë urie për këtë. Cili është këndvështrimi juaj?

Eduard Kukan, eurodeputet: Mendoj, se të rinjtë janë në të drejtën e tyre të protestojnë. Gjithmonë kam menduar, se studentët duhet të kenë një dell revolucionar në aksionet e tyre dhe duhen marrë seriozisht, sepse entuziazmi i tyre mund të sjellë progres. Qeveria shqiptare duhet t’i marrë shumë seriozisht. aksionet e studentëve. Por kjo nuk duhet marrë si një luftë dramatike kundër qeverisë, por si pakënaqësi që duhet trajtuar përmes dialogut. Ky është qëndrimi im. Edi Rama është një politkan me eksperiencë dhe ka shumë aftësi retorike të shkëlqyera. Dhe mendoj, se nëse ai do të ulet me studentët.

Pyetje: Studentët nuk duan të ulen në dialog, sepse konsiderojnë se 8 kërkesat e tyre janë shumë të qarta, dhe ato duhet të plotësohen.

Eduard Kukan: Kjo nuk është korrekte. Mendoj, se kur ndodhin gjëra të tilla, duhet të ketë një dialog. Nëse vendosen ultimatume, kjo nuk është rruga për të marrë rezultate. Do t’ju bëja apel edhe studentëve që të dëgjojnë argumentat e palës tjetër. Receta për situatën kalon përmes dialogut dhe konsiderim shumë serioz të qëndrimeve të secilës palë. Jam i sigurtë, që rezultati i dialogut do të çojë në një kompromis. Nëse secila palë nuk luan nga pozicioni i saj, kjo do të zvarrisë procesin. Sa më shumë kohë merr gjetja e një zgjidhje, aq më shumë e  dëmshme do jetë për vendin, shoqërinë, studentët dhe qeverinë. Ndoshta duhet të ketë një palë të tretë për ndërmjetësim, por studentët duhet gjihashtu të kuptojnë, se nuk është e mundur që t’i diktosh qeverisë.

Pyetje: Prej vitesh ju jeni raportuesi në hije i Parlamentit Europian për Shqipërinë. Rezoluta e fundit e Parlamentit Europian e aprovuar në Nëntor të 2018-s përfshin edhe disa pika lidhur me reformën e arsimit. A mendoni se në këto pikë reflektohen edhe disa nga kërkesat e studentëve, si akses më të mirë për të gjithë qytetarët në sistemin e arsimit dhe pajisje me aftësi dhe njohuri më të mira të të rinjve për tregun e punës?

Eduard Kukan: Përgjithësisht, në rezoltën e Parlamentit Europian nuk përfshihen të gjitha detajet, por nisur nga situata në vend, ndoshta do jetë e arsyeshme që fokusi të vihet më gjerësisht në situatën e sistemit të arsimit në Shqipëri dhe ndoshta të përfshihen edhe kërkesat e studentëve./abcnews.al