“Kujtova se kërkonit pluralizmin”, ish-studenti i Dhjetorit kujton bisedën me Skënder Gjinushin

schedule21:46 - 25 Qershor, 2019

schedule 21:46 - 25 Qershor, 2019

Alfred Cako është një personazh i njohur i jetës publike shqiptare. Ai është botues, publicist, bashkëthemelues i “Ballit Kombëtar” dhe ish-student i Dhjetorit. Si i tillë ai kujtoi një bisedë që bashkë me studentët e tjerë bënë me Skënder Gjinushin, asokohe ministër i Arsimit.

Cako rrëfeu se teksa studentët kërkonin gjëra themelore për jetesën si drita, ujë, mensa dhe kushte, Gjinushi iu është drejtuar duke u thënë se kujtonte se kishin dalë për pluralizmin.

Ka qenë pikërisht ky moment, që e ka bërë të kuptojë Cakon se çfarë kërkonte Lëvizja e Dhjetorit.

“Do t’ju them një fakt interesant që shumë njerëzve të krahut tim, kur kam qenë unë në krahun e djathtë mund të mos u pëlqejë, por e vërteta është e vërtetë. Natën e 8 Dhjetorit aty na ka ardhur në fillim, Pirro Kondi dhe pas tij Skënder Gjinushi. Ne i thamë sepse kishim një farë simpatie për Skënderin, si i ri që ishte, ndryshonte nga këta bllokmenët e vjetër me gushë të varur. Dukej më liberal, kishte studiuar në Francë dhe kishim një farë simpatie sepse jete dhe mësim, e quanim më shumë pedagog sesa njeri të kastës. Ai tha një shprehje kur ne i thamë, s’mund të kujtohet në këto kushte, s’kemi drita, s’kemi mensa, s’kemi kushte. “Akoma për drita për ujë keni dalë”, tha ai. “Unë kujtova se kishit dalë për të kërkuar pluralizmin”, tha. Ne në atë kohë hapëm sytë dhe thamë ça po thotë ky. Ky të paktën na futi si në hulli për herë të parë. Të paktën flas për veten time”, u shpreh Cako.

Cako deklaroi se Lëvizja e Dhjetorit ishte e drejtuar pasi nëse nuk ndërrohej sistemi për disa muaj shoqëria do të përfundonte në përplasje civile.

“E pilotuar ishte. Në qoftë se edhe për disa muaj sistemi nuk ndërrohej dhe merrej për dore shoqëria shqiptare nga perëndimi në Shqipëri do kishte ndodhur katastrofë se gjithçka ishte bllokuar dhe vendi po shkonte drejt një përplasje të madhe civile. Ramiz Alia e dëshironte me ngulm ndryshimin. Ishte ai që e lejoi, hapi portat dhe kërkoi ta kontrollonte dhe e kontrolloi procesin, krijimin e partive, për të mos lejuar përplasjen civile dhe për të mos lejuar që politikanët e ardhshëm që ai po i promovonte të lejonin që kapitali i huaj ose imperializmi financiar i huaj të hynte në Shqipëri dhe të kontrollonte vendin tonë”, tha Cako.  /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!