Kujtimet “sekrete”: Si u gjet e varur gruaja e ministrit, Enver Hoxha dhe misteret e Hotel Dajtit

schedule07:35 - 11 Dhjetor, 2021

schedule 07:35 - 11 Dhjetor, 2021

Nga Bashkim Trenova

Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut.  Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e  regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me shumë kolegë të tij, pinjollë të disa prej ‘familjet reaksionare’ etj., të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’.

ME ”HERONJTË E POPULLIT”

BYROJA POLITIKE DHE PRESIDENCA

 Nesti Nase më ofroi të punoja në Ministrinë e Punëve të Jashtme, por…?!

Përveç Behar Shtyllës, kam njohur edhe një tjetër anëtar të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, ministër i Jashtëm edhe ai, të ndjerin Nesti Nase. Ky zëvendësoi Behar Shtyllën dhe qëndroi në këtë post nga viti 1970 deri në qershorin e vitit 1982. Takimin e parë me Nesti Nasen e bëra me kërkesën e tij.Ai më thirri në zyrën e tij në Ministrinë e Jashtme. Për mua ishte hera e parë që shkelja në këtë institucion. Biseda jonë u bë ashtu siç mund të bëhet midis dy të panjohurve, që njihen nga larg. Unë e njihja atë, ashtu sikurse fillimisht  edhe Behar Shtyllën, nga fjalimet e “zjarrta” të mbajtura në sesione të ndryshme të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Ai më njihte mua nëpërmjet artikujve po aq të “zjarrtë” mbi zhvillimet ndërkombëtare, që botoja në “Zëri i popullit”. Shkurt, që të mos zgjatem, në këtë takim Nesti Nase më ofroi një post në Ministrinë e Jashtme. Ai donte të kishte formalisht miratimin tim. Ai më tha se më kishte kërkuar edhe më parë, por pa rezultat. Tani, sipas tij, atje ku vendosej, e kishin dhënë pëlqimin. Edhe unë dhashë pëlqimin për të filluar punë në Ministrinë e Jashtme. U ndava me Nesti Nasen, duke pritur disa kohë që të më njoftonin të filloja punë në institucionin që drejtonte ai.

Pas disa javësh i telefonova Piro Koçit, drejtor i kuadrit pranë Ministrisë së Jashtme, për të ditur se si po shkonte puna e emërimit tim. Piro Koçi më tha se unë nuk njihja një gjuhë të huaj, prandaj nuk do të mund të filloja punë pranë kësaj Ministrie. I shpjegova se unë e njihja frëngjishten, se madje edhe kisha botuar në organin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë, gazetën “Drita”, mjaft përkthime të poetëve dhe shkrimtarëve të njohur të huaj. Nga ana tjetër e receptorit dëgjova fjalët: “Po, por ti nuk ke një dokument zyrtar që të vërtetojë se e njeh këtë gjuhë”. Pasi mbylla telefonin, shkova në Fakultetin Histori-Filologji, për t’u interesuar për sezonin e provimit të frëngjishtes. Rastisi të ishte koha e këtyre provimeve. Hyra në provim ashtu i papërgatitur dhe mora dokumentin zyrtar, që provonte zotërimin e gjuhës frënge. Pas kësaj e mora sërish në telefon Piro Koçin dhe i tregova për provimin. Nga ana tjetër e receptorit heshtje e plotë. E kuptova se nuk ishte gjuha e huaj, por diçka tjetër, që pengonte. Unë vazhdova edhe për disa vite të tjera të punoj si shef i Sektorit të Jashtëm në “Zëri i popullit”. Sidoqoftë, nga takimi i parë me Nesti Nasen më mbeti në kujtesë kujdesi që tregonte ai në komunikimin me bashkëbiseduesin. Më pëlqeu mënyra e tij direkte, e kulturuar dhe njëkohësisht delikate e komunikimit. Pashë tek ai një njeri dashamirës.

Takimi i dytë me ministrin e Punëve të Jashtme Nesti Nasen, në vitin 1982

Takimi i dytë me Nesti Nasen u bë me kërkesën time disa vite më pas. Mund të ketë qenë viti 1982. Në Shqipëri kishte arritur një delegacion zyrtar nga Republika Islamike e Iranit. Shqipëria socialiste ateiste, e vetizoluar totalisht, pra pa asnjë hapje as nga Lindja dhe as nga Perëndimi, i kishte hapur dyert përfaqësuesve zyrtarë të atyre që njiheshin si fundamentalistë islamikë. Enver Hoxha në një fjalim të tij para zgjedhësve ka theksuar se nuk do të lejonte që në Shqipëri të futej “derri dhe dosa”. Islamistët e Iranit, edhe ata, sigurisht e përjashtonin derrin dhe dosën. Megjithëkëtë, nuk ishte ky shkaku apo arsyeja që u bënë hapa të përbashkëta afrimi midis Shqipërisë dhe Iranit. “Derri dhe dosa”, në kuptimin si e përdorte Enver Hoxha këtë tri fjalësh, ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës me aleatët e tyre, Bashkimi Sovjetik me aleatët e tij, njerëzit e artit, të kulturës, të shtypit nga bota e jashtme. Politika e jashtme zyrtare e Shqipërisë drejtohej sidomos kundër “dy superfuqive”, pra godiste hegjemoninë e dy superfuqive.

Në fillimet e tij edhe Revolucioni Islamik i Komheinit drejtohej kundër dy superfuqive, ose siç i thonin në Teheran, kundër “dy djajve”. Këtu mund të kërkohet, ndoshta, pika e përbashkët midis Tiranës dhe Teheranit. I përbashkët ishte gjithashtu edhe izolimi i tyre ndërkombëtar. Shqipëria komuniste e kishte mbështetur, si ndoshta asnjë vend tjetër, revolucionin islamik në Iran. Në politikë besoj se nuk bëhen shërbime “gratis”. Diçka të ngjashme kishte bërë diktatura komuniste e Tiranës edhe kur në Athinë, në vitin 1967, erdhën në pushtet kolonelët e zinj puçistë. Të dy regjimet e izoluara në botë shpejtuan të afrohen midis tyre e të vendosin marrëdhëniet diplomatike.

Gjatë kohës që delegacioni iranian vazhdonte vizitën në Shqipëri, mua më thërriti Miti Tona, drejtor i Drejtorisë së Shtypit në Komitetin Qendror dhe më tha se iranianët do të mbanin një konferencë shtypi në Hotel “Dajti”. Miti më tha të përgatitja disa pyetje që do t’i drejtoheshin kryetarit të delegacionit. Të gjitha pyetjet, më tha Miti Tona, duhet të kenë një fillim afirmativ. Ai më tha gjithashtu se pasi t’i kisha formuluar ato të shkoja e të takoja ministrin e Jashtëm, Nesti Nasen, për t’u konsultuar me të. Pastaj, para konferencës për shtyp, unë duhet t’ua shpërndaja pyetjet disa gazetarëve që do të merrnin pjesë në këtë konferencë.

Ia lexova Nesti Nases të gjitha pyetjet që kisha menduar se mund t’i bëheshin delegacionit iranian. Ai nuk bëri vërejtje, i miratoi ashtu qetë. Më bëri përshtypje se pinte shumë duhan, porsa mbaronte një cigare ndizte tjetrën. Mua m’u duk si i lodhur, sikur nuk ishte aty, sikur kërkonte të tregohej si gjithnjë duke mos qenë ashtu. Nuk e di përse i thashë: “Pini shumë duhan shoku ministër”! S’më kujtohet reagimi i tij pas këtyre fjalëve. Bisedova me shokët e mi për përshtypjet që pata nga takimi me Nesti Nasen. Kishte disa muaj që ishte vrarë apo vetëvrarë Mehmet Shehu, kryeministri shqiptar. Ne ishim dëshmitarë të faktit se ai po merrte me vete edhe mjaft udhëheqës të tjerë të Partisë së Punës e të qeverisë shqiptare të cilësuar si bashkëpunëtorë të tij. Nuk mund të merrej me mend ku do të ndalonte prerja e kokave nga Enver Hoxha. Nuk dihej kush e kishte radhën për t’u vënë në gijotinë. Vazhdimisht bisedonim për këtë gjendje terrori dhe pasigurie edhe pse ajo nuk na prekte ne drejtpërsëdrejti. Vazhdimisht kërkonim të gjenim ndonjë fjalë të lëshuar ashtu si kot, ndonjë gjest që dukej si i papërfillshëm, për të parë apo për të lexuar ç’qëndron pas tyre. Pirja e dendur e cigareve nga Nesti Nase nuk na u duk shenjë e mirë.

Gabimi im në konferencën  e shtypit të delegacionit iranian në Hotel “Dajti”!

Pasi u largova nga Ministria e Jashtme dhe njoftova edhe Miti Tonën për takimin me Nesti Nasen, u drejtova për në Hotel “Dajti”. Aty, në hyrje, takova me disa kolegë të Agjencisë Telegrafike të Lajmeve, Radio Televizionit dhe të disa organeve të shtypit, të cilëve u shpërndave skedat ku ishin formuluar pyetjet që do t’i bëheshin delegacionit iranian. Në këtë shpërndarje kisha bërë një gabim që do ta kuptoja më pas nga qëndrimi i kryetarit të delegacionit iranian. Unë nuk kisha vënë re se gazetarët që do të bënin pyetje, ishin me origjinë të krishterë. Për mua, si për të gjithë brezin tim, si për të gjithë kolegët e mi, përkatësia fetare jo vetëm nuk kishte rëndësi, por ishte edhe e paqenë. Kështu u ngritën dhe bënë pyetje njëri pas tjetrit Taqo Zoto, drejtor i Agjencisë Telegrafike, Napolon Roshi, shef i Sektorit të Jashtëm të gazetës “Bashkimi” etj. që nuk më kujtohen. Nga ana iraniane përgjigjet ishin korrekte, por si të prera. Më në fund u ngrit dhe pyeti edhe Shaban Murati, në atë kohë gazetar në Drejtorinë e Jashtme të Radio Tiranës. Para se të përgjigjej, kryetari i delegacionit iranian shqiptoi fjalët: “Vëllai ynë Shaban”. Këtu unë e kuptova “gabimin” tim, por ishte tepër vonë. Konferencës i kishte ardhur fundi.

Arrestimi i Nesti Nases nga Sigurimi Shtetit në godinën e ministrisë!

Pas disa muajsh, më 30 qershor të vitit 1982, erdhi fundi edhe për Nesti Nasen. Atë e larguan nga posti i Ministrit të Jashtëm. Formalisht atë e emëruan  “këshilltar” në Institutin e Studimet të Marrëdhënieve Ndërkombëtare pranë Ministrisë së Jashtme. Them formalisht, sepse atij nuk i’u ngarkua asnjë detyrë konkrete, sepse ai praktikisht nuk kishte kë të këshillonte, nuk i kërkonte askush këshilla. Ai ishte i izoluar. Edhe kur shkonte në kafe të gjithë shpejtonin të largoheshin. Më të shpejtë tregoheshin ata që i kishin bërë temenara, lajkatarët e servilët, karrieristët dhe njerëzit pa karakter. Në këtë Institut, në shtator të vitit 1982, tre punonjës të Sigurimit të Shtetit i vunë atij prangat duke i shqiptuar formulën e njohur: “Në emër të popullit je i arrestuar”. Ai u arrestua si bashkëpunëtor i Mehmet Shehut në komplotin e paqenë të përmbysjes me dhunë të diktaturës së proletariatit. Në momentin  e arrestimit, sikurse ka thënë në një intervistë të tij Genc Mlloja, punonjës  i këtij Instituti, kanë qenë të pranishëm vetëm ai, zv/drejtori i Institutit, Vladimir Prela, dhe një daktilografiste. Të gjithë punonjësit e tjerë të Ministrisë së Jashtme, në të cilën bënte pjesë edhe Instituti, ishin thirrur në  një mbledhje të improvizuar. Sigurimi i shtetit, siç duket, ka parapëlqyer të mos ketë më shumë dëshmitarë nga sa i është dashur. Përndryshe nuk kishte përse të mos ishin në mbledhjen e kolektivit dhe as përse të mos ishin në dijeni të saj vetëm Nesti Nase, Genc Mlloja, Vladimir Prela dhe daktilografistja. Edhe ata ishin pjesë e kolektivit.

Përpara trupit gjykues Nesti Nase u detyrua të dëshmojë si të vërtetë të padiskutueshme një gënjeshtër monstruoze sipas porosisë së diktatorit. Ai pranoi se në dy raste kryeministri Mehmet Shehu i kishte thënë atij se Enver Hoxha duhej hequr qafe me dhunë. Nesti Nase pranoi se Mehmet Shehu ishte kryetari i një organizate apo bande kundërrevolucionare ku, përveç të tjerëve, bënte pjesë edhe ai, etj., etj. Këto pohime i shpëtuan jetën atij, ndërsa të tjerët që gjendeshin pranë tij në bangën e të akuzuarve, ose u ekzekutuan ose vdiqën burgjeve. Me dëshminë e Nesti Nases në sallën e gjyqit unë, si të gjithë të tjerët, jam njohur vitet e fundit, pas botimit të proces-verbaleve gjyqësore në faqet e shtypit.

Nuk dua ta gjykoj Nesti Nasen për qëndrimin që mbajti në sallën e gjyqit. Ata që akuzoheshin aty, edhe pse padrejtësisht, ishin vetë autorë të sa e sa padrejtësive ndaj shokëve të tyre më të afërt. Ata mbanin në ndërgjegjen e tyre burgimet, vrasjet, internimet, zhdukjet e sa e sa të tjerëve duke vepruar në sallat e plenumeve të Komitetit Qendror të Partisë apo në prapaskenë njëlloj si edhe Nesti Nase në sallën e gjyqit. Po t’u kërkohej, për të shpëtuar kokën e tyre, ata nuk do të vepronin ndryshe nga Nesti Nase, do të ishin të gatshëm të pohonin se ai, madje, ishte edhe kryesori, numri një midis tyre. Nëse nuk e bënë këtë gjë, kjo shpjegohet vetëm me faktin se diktatori i kishte paracaktuar fatet dhe rolet e të gjithëve dhe se askush nuk mund të shmangej nga skenari. E parë në rrjedhën e kohës, sidoqoftë, ndjen keqardhje jo për ta, por për fatet e një vendi dhe të një populli, që për afro një gjysëm shekulli është drejtuar nga një diktator, i cili deformoi gjithçka tek njeriu, e ktheu atë në monstër të robotizuar.

Si u gjet e varur në shtëpinë e saj, bashkëshortja e Nesti Nases?!

Nesti Nase u lirua nga burgu në vitin 1989. Pas fillimit të Lëvizjes Demokratike e kam takuar njëherë rastësisht në Bulevardin kryesor të Tiranës, diku aty pranë selisë se Kryeministrisë. Iu afrova dhe e përshëndeta. Ishte i vetëm. Biseduam dhe nuk e di se përse biseduam. Me siguri kemi thënë fjalë të përgjithshme, kot. Nuk mbaj mend asgjë nga kjo bisedë. Ajo që nuk kam harruar nga ky takim është vetmia e tij. Ai mbante kokën poshtë, sikur nuk donte të shihte askënd, sikur ishte në një botë ku nuk njihte askënd. Pata përshtypjen se ndjehej i tillë. Pas arrestimit të Nesti Nases, përndjekjet u shtrinë në të gjithë rrethin e tij. Një nipin e tij, Gjergji Cico, i cili ishte gazetar në Agjencinë Telegrafike Shqiptare, e larguan nga puna, e larguan nga Tirana dhe e dërguan si mësues dikund në një fshat të largët të Korçës. Shumë më e rëndë, tragjike ishte ajo që ndodhi me bashkëshorten e tij, Petrinën. Dy ditë pasi e arrestuan Nestin, gruaja e tij, Petrina, u gjend e varur në shtëpi.

Më saktë është të thuhet se atë e gjetën të varur fqinjët, pasi trupi i saj kishte filluar të dekompozohej. Diktatura shpejtoi të thotë se ajo kishte varur veten, sepse ishte agjente e UDB-së, shërbimit sekret jugosllav. Mos duhet besuar së pari se atë e varën agjentët e Sigurimit shqiptar?! Përse? Qoftë edhe për t’i bërë presion Nesti Nases, për ta dërmuar shpirtërisht atë e për ta manipuluar më lehtë më pas.

Petrina i rezistoi vdekjes dhe shpëtoi prej saj në Mathauzen apo në ndonjë kamp tjetër, përqendrimi ku u depërtua gjatë Luftës nga nazistët.(Nuk jam i sigurt për emrin e kampit nazist ku ka qenë e depërtuar ajo.) Diktatura komuniste e theu atë, i rrëmbeu atë që ajo ia kishte “borxh” nazizmit. Asnjë fakt, qoftë edhe i sajuar, nuk u përmend ndonjëherë për të provuar lidhjet e saj me UDB-në. Ajo u var, apo më mirë e varën, vetëm e vetëm sepse ishte gruaja e Nesti Nases. Vetë Nesti ishte i ndërgjegjshëm për këtë gjë. Ai nuk mund të  mos e vuante faktin se gruaja e tij, e dashura e tij, ishte viktimë pa dashje e vetë atij.

Ata nuk kishin fëmijë, kishin vetëm njëri-tjetrin. Petrina ishte sterilizuar nga nazistët në kampet e përqendrimit. Largimi i saj ishte vetmia e plotë e tij. Largimi i saj ishte dhimbja e pafund e tij. Përmbysja e komunizmit nuk mund t’i jepte gëzim ish- ministrit të Jashtëm, Nesti Nase, nuk mund t’i kthente atë që ishte larguar për gjithnjë. Nuk mund të gëzosh i vetëm në botë edhe nëse i ke shpëtuar vdekjes së sigurt. Ja përse Nesti Nase ecte ashtu si kot, si bosh në shpirt në bulevardin kryesor të Tiranës. Ne u ndamë ashtu sikurse u takuam. Ai i sjellshëm si gjithnjë, sikur po ndahej nga një mik që porsa e kishte njohur e që s’do ta shihte më. Unë, i papërcaktuar, vërtet i gëzuar që e takova, por pa ditur se përse e takova, përse duhej ta takoja. Unë nuk mund ta ndihmoja atë. Besoj se askush nuk mund ta ndihmonte./Memorie.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!