Kujtimet e Petro Markos: Ishte një çast i paharruar, pashë Safon time në torturat më çnjerëzore

schedule08:04 - 28 Maj, 2023

schedule 08:04 - 28 Maj, 2023

Rrëfimet e shkrimtarit të njohur Petro Marko, ish-luftëtari i Brigadave Internacionaliste në Luftën e Spanjës dhe i Tiranës, tregon prapaskenat e asaj që njihet si Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe pse Koçi Xoxe urrente Enver Hoxhën?! Porosia e Sejfulla Maleshovës: “Kjo është parti terroriste, mos hap gojën, se do e pësosh…”! Përse u dënua Petro Marko dhe kush ishin ata që i’a përgatitën arrestimin dhe kush e ndihmoi pas daljes nga burgu, etj. Pjesë të zgjedhura nga libri “Intervistë me vetveten”, i shkrimtarit të njohur shqiptar Petro Marko, i botuar në fillim të viteve ’90-të pas shembjes së regjimit komunist, libër i cili pati një jehonë të madhe në shtypin e kohës, pasi u botua dhe ribotua disa herë, duke shënuar një rekord shitjesh.

–NISI KALVARI-

Unë nuk dua që këto shënime t’i shkruaj si Silvio Peliko: “Le mie prixhioni – Burgjet e mia;” ose si Antonio Gramshi: “Letere ali intelektuali italiani”; ose si “Il milione” té Marko Polos…! Dua të bredh me kujtimet e mia në ato “llogore” ku fantazia, ishte arma e vetme e jetës dhe nata ishte motra e lirisë. Unë e njihja këtë burg, që nga koha e Zogut, po atëherë ishin më pak politikanë, shumica qenë ordiner. E vërteta ishte se në atë kohë, të burgosurve politikë, siç ka shkruar disa pjesë dhe në romanin e tij “Burgu” Haki Stërmilli, mund t’u vinte në birucë nëna ose gruaja, ose motra dhe të shërbente ngandonjëherë. Në kohën e okupacionit Italian, burgu u bë shkollë revolucionare. Aty kishim kolektivin, hanim bashkë, mësonim bashkë dhe bënim kurse politike.

Kam qenë në burgun e Dhërmiut, vetëm një natë, pastaj në burgun e Vlorës, se kisha bërë një trakt (traktin e parë anti-italian)…! Pastaj në burgun e Fierit, në burgun e Tiranës, në burgun e Brindizit, në burgun e Barit, në burgun e Palermos, në burgun “Rexhina Çeli” të Romës…! Isha njeri i rritur me ëndrrat që shohin të burgosurit, kur janë të rinj, dhe me çdo kusht, nuk duan t’u vriten ëndrrat, po i mbajnë të gjalla, se ëndrrat e bukura, të lirisë, të dashurisë, të udhëtimeve në botën e çudirave, janë forca që i mban të gjallë ata që kanë një ideal, ata që besojnë dhe shpresojnë se bota ka si timon humanizmin, demokracinë, lirinë, vëllazërimin…

Pyetje: – Po a pati në atë jetë burgu, ndonjë shkëndijë sado të vogël, të realizimit të ëndrrave?

Përgjigje: – Më kujtohet një çast i paharruar. Oficeri Maqo Pecani, njeri i mirë (se kishte dhe oficerë me zemër njeriu), lejoi që Safoja ime, të më shikonte përmes dy palë hekurave të katit të dytë. Më thanë të shkoja te hekurat. Përtej pashë ëndrrën time, Safon time, me të cilën jetoja aty ditë e natë, edhe në torturat më çnjerëzore. Çudi, duket se dashuria e saj, shpirti i saj i dëlirë, kanë ndikuar shumë në qëndrimin tim të pathyeshëm…!

Ajo kishte dritën nga prapa, unë dritën përpara…! Kur më pa, ia shkrepi të qarit me të madhe dhe shqiptoi me dënesa: “Si e keni katandisur kështu…”! Vetëm dhëmbët më dukeshin! Qau. Unë e qetësova duke i thënë se; shpejt do të mbaronte edhe ky kalvar yni…! Vajza e re, e bukur, që kushedi se sa njerëz me pushtet i kishin thënë: “Braktise, se do të humbasësh edhe ti”, – heshtte dhe duronte, më priste…! Ajo ditë ishte për mua një apokalips! Nuk do ta harroj kurrë. Ishte një dritë shprese, pas gjithë atyre muajve, atyre tre vjetëve izolimi të thellë, atij terri të përgjakur. Asnjeri nuk lejonin të takohej me familjen e tij.

Një ditë, Koço Boshnjaku, më thirri në zyrën e përkthimeve dhe më lexoi dy vjersha të poetit Zoshenko, që u dënua rëndë nga Zhdanovi. E para, kishte këtë përmbajtje: “Majmunët, vendosën të bënin një shtet origjinal. Ndërtuan një kafaz shumë të madh, ku u futën të gjithë brenda, përveç udhëheqjes, që duhej të rrinte jashtë kafazit”! Për këtë dhe për “Eugjen Onjegini në Peterburg”, tema e së cilës ishte kjo: “Eugjen Onjegini, personazh i Pushkinit, u ringjall dhe shkoi në Peterburg, që tani quhej Leningrad. Hipi në tram duke mbajtur çantën në dore. E shtynin, sidomos gratë e trasha, që binin erë hudhre dhe pordhë dhe që talleshin me të…!

Ky e humbi, se kujtoi gratë e dikurshme të Peterburgut, elegante dhe fisnike, dhe harroi të zbriste në stacionin ku duhej të zbriste. Zbriti në një stacion më tutje, ndërsa e shtynin dhe e shanin si borgjez të rrezikshëm…! Kur zbriti, Onjegini nuk e kishte më çantën në dorë. la kishin marrë. Shkoi te zyra e policisë së stacionit dhe u ankua se i kishin marrë çantën. Dhe, ndërsa fliste, kishte marrë lapsin nga tryeza dhe e tundte.

Oficeri i tha: “Ti e kishe në dorë çantën dhe ta morën. Ku ta gjejmë ne atë që ta mori”?! Onjegini i tha: “Është mirë që të bëhet një ligj, që t’u pritet dora atyre që vjedhin”! Dhe oficeri, duke qeshur, i tha: “Majep lapsin që more, se e kam në inventar…! E, ç’thua ti, more i çmendur! Po t’u presim dorën atyre që vjedhin, sot populli rus do të ishte i tëri pa duar…! Por, ma jep lapsin, se edhe ty duhet të të pritet dora”! Zhdanovi, këtë Zoshenko dhe poeteshën Ahmanova, i përjashtoi nga Lidhja e Shkrimtarëve.

Kishim krijuar një rreth të mirë me shokë, si; Mirash Ivanaji, Mitrush Kuteli, Arshi Pipa…! Duhet të hap një parantezë, se përmenda Arshi Pipën. Kam dëgjuar shumë vjet më pare, nga Radio Vatikani (shqip) poemën e Arshiut “Vloçishti”. Se Arshiu kishte qenë në Vloçisht (të Maliqit), bashkë me Nexhmi Ballkën e të tjerë, për të tharë kënetën e Maliqit… Skëterrë! Skëterrë e vërtetë! Të burgosurit mbyteshin në baltë dhe rojat i shtynin më thellë, që të mos dilnin më! Ka pasur kampe në Rusi e gjetkë, po si Vloçishti, s’do të ketë pasur në asnjë vend! Cilido që rron ende dhe ka qenë në tharjen e kënetës së Maliqit, besoj se kurrë nuk mund t’i harrojë ato skena makabre…!

Të burgosurit politikë, kanë punuar për ndërtimin e shumë veprave, si Rafineria e Ballshit, minierat famëkeqe të Spaçit, të Bulqizës e gjetkë…! Kurse të burgosurit ordinerë, kanë punuar në tarracat e famshme të Lukovës, të Ksamilit dhe të shumë fermave të tjera! Kanë punuar dhe për ndërtimin e banesave edhe në Tiranë, edhe në rrethe. Këto punime të sforcuara, kanë munduar mijëra e mijëra djem e burra, të cilët në pikë të vapës dhe në shi e dëborë, punonin përjashta si skllevër të antikitetit. Në prapaskenën e “Shqipërisë së lulëzuar dhe të lumtur”, ishte e vërteta e hidhur: mijëra e mijëra djem e vajza, që punonin angari në miniera, në çeljen e tarracave, në hapjen e rrugëve, në ngritjen e urave dhe të ndërtesave. Këtë përjetoi thuajse gjysma e popullit shqiptar.

BISEDA, EPISODE, PERSONAZHE

Bëheshin këto pyetje, këto biseda:

Pse të dënuarit politikë të jenë së bashku me të dënuarit ordinerë?

Pse të dënuarit, që dikur ishin me Partinë, kurse tani janë të dënuar për agjitacion e propagandë, të jenë bashkë me armiqtë e tyre gjatë Luftës, si ballistët, ata të “Legalitetit” e të tjerë?

Kishte nga ata që shuanin nga kalendari njëzet vjet – që nga 1924-a e gjer në vitin 1944. Se gjer më 1924-ën, ishin me Fan Nolin, me “Bashkimin”, pastaj pas 1924- ës, u bënë me Zogun, me Italinë fashiste, me Gjermaninë naziste. Këta mburreshin se kishin qenë me Fan Nolin e, me “Bashkimin”, po kurrë nuk zinin në gojë, as Zogun, e as okupatorët. Ata me marifete, varnin në gjoks dekoratat e demokracisë, që’u zhduk nga Zogu më 1924-ën, dhe nuk zinin në gojë fare, përfitimet që kishin pasur nga Musolini ose Hitleri.

Këta tipa, Branko Merxhani, i quante “Vagabondé të historisë”. Mirëpo, ata përfituan shumë edhe nga ky regjim, se ishin të stërvitur në profesionin e dallkaukut, servilit, shërbëtorit të të madhit. Dhe pushteti, këta i ndihmonte, se e dinte që nuk mund të hapnin gojën për padrejtësitë që bëheshin, se ishin vetë, pjella e padrejtësisë, e imoralitetit.

– Siç duket, – na thoshte Koço Boshnjaku, me zë të ulët, aty në një qoshe të korridorit të burgut, – të gjithë pushtetarët, të njëjtën rrugë ndjekin në vlerësimin dhe përkrahjen e njerëzve…!

Episode: Në katin e poshtëm, te birucat, vazhdonin hetimet për ata që shtonin radhët e të burgosurve. Ndodhte nganjëherë, që ndonjë i arrestuar, ndërsa e pyesnin hetuesit, përmendte ndonjë emër shoku të dënuar, që ishte lart në katin tonë. Natën, vinin policët, e merrnin të dënuarin dhe e çonin poshtë, në dhomën e hetuesisë. Cilitdo që i dilte emri, që të thirrej përsëri në hetuesi, tmerrohej, se kushedi ç’ngatërresa të tjera do të kishte, kushedi ç’torturave do t’u shtrohej dhe mund të dënohej më shumë, ndoshta edhe me vdekje – gjëra që kishin ndodhur.

Aty, në dhomën e përkthyesve, ishte edhe profesor Filip Fishta, një si jezuit i rrumbullakët, i veshur me një këmishë të bardhë, të gjatë si raso, që nga koka gjer te këmbët. Po të vinte nga jashtë ndonjë komision ndërkombëtar, për të parë gjendjen e të burgosurve dhe po të tregonin Filipin, do të thoshin se në Shqipëri, të burgosurit ushqeheshin aq shumë, sa bëheshin si Çurçilli. Kur e thirrën Filipin natën, të shkonte poshtë në hetuesi, iu pre gjaku, mezi ecte. Dy policët, e mbanin nga krahu, se mos u hidhej nga shkallët, gjëra që kishin ngjarë edhe këta disa herë. Filipit, iu zbardhën buzët dhe filloi të dridhej, kur hyri në dhomën e hetuesisë, ku dy oficerë, njëri i gjatë dhe tjetri i shkurtër, mbanin një hu në dorë. Në shesh ishte shtrirë ai që pyetej dhe akuzohej.

– Nuk na thua, zoti profesor (ky ton disi e zbuti Filipin), ju që merreni me letërsi dhe gjuhësi…!

– Po… po… po… – përsëriste Filip ziu.

– Pra, ne këtu me këtë shok, po zihemi për një fjalë. (Filipit iu çelën sytë dhe ngriti më shumë veshët). Zihemi, se ky shok këtu, thotë se; fjala njëmendësi, do të thotë mentalitet…! Si qëndron puna?

– A për këtë, më keni thirrur këtu?

– Po! – i tha ai hetuesi i gjatë, që mbante një hu në dorë…!

Filipi, gëlltiti pështymën, humbi ndjenjat dhe u palos në tokë.

Hetuesit qeshën dhe pritën sa erdhi në vete. Ai me zë të mekur, shqiptoi:

– Më falni sa të marr pakëz frymë…! – dhe u tha se afrohej kuptimi i tyre.

– Mirë, profesor, tani shko! – i tha ai më i gjati. Dhe Filipi, doli i kërrusur dhe i dërrmuar. Kurse hetuesi i shkurtër, tha:

– Ama ç’armiq të popullit që kemi?! U alivanos për një pyetje të thjeshtë…! Këta, do ta rrëzojnë pushtetin?!

Informacione: Ne mësonim çdo gjë që bëhej përjashta.

Kishte të burgosur, që informoheshin për çdo gjë, se i burgosuri i mban veshët si lepuri, duke dëgjuar dhe fëshfërimën e gjethit.

“Nako Spiru vrau veten”!

Këtë ma njoftoi Safoja me anën e kapakut të famshëm.

Koço Boshnjaku, qeshi me vete, se ai e njihte mirë Nakon, jo vetëm se e kishte nga Durrësi, po kishin bashkëpunuar: Koçoja si Drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Shtetit dhe Nakoja si ekonomist (kishte mbaruar studimet e mesme Tregtare, në fillim në Korfuz, pastaj në universitet, për Ekonomi në Torino). Pas çlirimit, bashkëpunonin për çështjet ekonomike. Koçoja, u mendua paksa, fërkoi fytyrën…ndoshta edhe sytë e njomur…dhe tha me një ton të egër: “Nakoja nuk e vret kurrë veten… e kanë vrarë”!

Ai arsyetonte kështu: Kur kishte vajtur Nakoja në Jugosllavi, për unifikimin e monedhës, siç duket nuk kishte rënë dakord me ta…! Ata do të ishin zemëruar shumë dhe do t’i kishin thënë të madhit tonë: “Pse e mban atë…që kërkon të prishë unitetin tone”?!

Ngjarje të papritura dhe të habitshme: Thanë se Titoja, ishte zënë me Stalinin dhe do të arrestohej në Moskë, ashtu siç ishin arrestuar dhe zhdukur shumë sekretarë partie, po Dimitrovi e ndihmoi Titon dhe ai iku. Shpëtoi. Me të arritur në Beograd, thanë se Jugosllavinë, e përjashtuan nga Informbyroja dhe nga ‘Traktati i Varshavës’. Këtu te ne, Koçi Xoxe dhe bashkëpunëtorët e tij të afërm, të Ministrisë u arrestuan. Koçi u dënua me vdekje. Thonë se, kur dëgjoi pretencën dhe vendimin e kryetarit të gjyqit, Bedri Spahiu, tha pak a shumë këto: “A, maçok i zi, maçok i zi! Siç të vuri ty tani të më dënosh mua, ashtu do të vërë një tjetër të të dënojë ty”! E çfarë nuk thuhej. Na prunë në burg, disa bashkëpunëtorë të Koçit, të cilëve nuk u afrohej asnjeri. Koço Boshnjaku na tha:

– E ç’faj kanë ata? Atë faj që kemi edhe ne! Prandaj vemi e takohemi me ta…!

Të burgosurit e tjerë, me qëndrimin e tyre, e shfaqnin hapur urrejtjen dhe nuk deshën t’u afroheshin atyre, që kishin qenë në krye të Ministrisë së Brendshme, e cila i kishte arrestuar dhe dënuar…!

M’u kujtua një pasazh i romanit të Aleksandër Manxonit; “Të fejuarit”. Encoja, protagonisti, shkonte në pazar. Kishte varur pulat tufë, kokëposhtë, dhe ato i nxirrnin sytë njëra-tjetrës: secila kujtonte se njëra, e kishte lidhur tjetrën, prandaj e çukiste. Ato – thotë autori – nuk e dinin se cila dorë i kishte lidhur. Dhe shumica e të dënuarve, nuk e dinin se cila dorë i vrau dhe i burgosi! Ishte po ajo. Dhe akuza ishte e njëjta: “agjitacion e propagandë ose agjentë të anglo-amerikanëve”.

Më thoshte një shok i Koçit, i dënuar me tridhjetë vjet, se asnjë arrestim, ose ekzekutim, nuk bëhej kurrë pa urdhrin e Enverit.

Do të bëhej Kongresi i Parë i Partisë dhe të gjithë shpresonin të liroheshin. Të gjithë bënin leckat gati për të dalë, se flitej që do të bëhej një amnisti e përgjithshme. Osman Gazepi, një njeri i njohur për thëniet e rënda, si të marra, po me kuptim, duke ndenjur te shkallët e, duke parë të gjithë që bëheshin gati për të dalë (se po insistohej që Kongresi do ta bënte këtë falje të madhe, duke e ngarkuar Koçin, si kasapin e gjithë kësaj situate dënimesh dhe ekzekutimesh), thoshte: “O ju mbylltë dera, ju mbylltë! – Këta mezi na mblodhën koqe-koqe këtu, dhe tani të na lëshojnë…”!

U bë një amnisti nominale. Unë dhe disa shokë të mi të vjetër, si; Demiri, Koçoja e të tjerë, nuk u falëm, megjithëse kishim kaluar tre vjet në izolim.

Në atmosferë, ndihej prishja e marrëdhënieve me Titon. Flitej se tashti, po kërkonin të forconin lidhjet me Stalinin.

Shumë jugosllavë anti-titistë, u hodhën këtej. U burgosën, po nuk deshën të bisedonin me asnjë oficer shqiptar. Ata kërkonin, një përfaqësues të ambasadës sovjetike në Tiranë.

Kështu që tani u hoqën nga zyrat dhe shtëpitë portretet e Titos dhe u vendosën ato të Stalinit, krahas asaj të Enver Hoxhës.

Personazhe të rralla: Një nga këto personazhe ishte dhe Mirash Ivanaj, të cilin, kur erdhi nga Turqia, e prita unë dhe e vendosa në hotel “Vollga”. Pastaj, qeveria e emëroi në bibliotekë. Ai nuk fliste me asnjeri në burg. Unë i afrohesha dhe ai pranonte nga unë, çdo gjë që i jepja. Nga të tjerët, nuk pranonte as edhe një cigare. Kishte ardhur nga Turqia (se kishte ikur me Zogun, pasi kishte qenë ministër i Arsimit). Në Turqi jetonte keq. Vendosi të kthehej, se kishte punuar gjithë jetën, si një nga eruditët më të shquar të kulturës sonë. Kishte lënë këtu shumë artikuj studimorë, për të cilët kishte punuar gjithë jetën. Për ato u kthye, por nuk i gjeti më.

Plaka që ruante shtëpinë, i tha se në kontrollin që iu bë, ata të Sigurimit, nuk lanë asnjë libër. Kishte studime për origjinën e gjuhës shqipe; studime për origjinën e kombit tonë; studime për ndikimin helen, në gjuhën dhe qytetërimin tonë; studime për ndikimin e Romës dhe të latinishtes, në gjuhën tonë; për ndikimin e gjuhës turke, të gjuhës sllave, në gjuhën dhe në kulturën tonë. Dhjetë studime të plota – punë e një jete me vullnetin e hekurt, të Mirash Ivanajit, për mua njëri nga më të kulturuarit, midis më të kulturuare, gjatë gjithë historisë sonë kombëtare. Meqë ai s’donte të pranonte nga askush asgjë, i shkrova Safos sime, që mundësisht, t’i dërgonte një pako të vogël në javë, pa emrin e saj. Ai çuditej dhe thoshte: “Kush më kujton mua”?!

Unë ngandonjëherë, bëja dhe vjersha. Kisha bërë një të bukur, kushtuar Safos sime. Ia lexova dhe ai qeshi, duke më thënë: “Duket se je poet, mbasi krijon dhe me pranga në tru”!

Mirash Ivanaji, vdiq në burg. Kam një brerje ndërgjegjeje dhe përse, do ta shpjegoj më poshtë.

Unë u dënova me një akuzë të rëndë, pa fakte reale! Pse pije cigare amerikane? Pse visheshe me uniforma ushtarake amerikane? Këto qenë faktet! Dhe unë, duke qeshur, përgjigjesha: “Ne kishim marrëveshje me aleatët amerikanë, që të na dërgonin armë, veshmbathje e të tjera. Shumica u veshën me teshat amerikane, si ato që vishja unë. Madje ne, ankoheshim dhe thoshim pse s’na dërgojnë më shumë (se ata i hidhnin me parashuta). Shumica e kuadrove tanë, kishin po ato veshje amerikane”. U akuzova; pse botoja lajme në faqen e parë të gazetës “Bashkimi”, për ndihmat e UNRRA-s për popullin dhe qeverinë tonë. Nga këto elemente, rezultoi akuza e tyre: Agjent i anglo-amerikanëve dhe i Fultz-it. Një akuzë absurde, qesharake e pa bazë, shkatërruese, ndonëse s’kisha bërë asnjë faj.

Tani të them fajin tim, për Mirash Ivanajin: Kur dola, unë duhej të kisha shkuar te ministri i Punëve të Brendshme, që atëherë ishte Mehmet Shehu, dhe t’i kisha thënë se; Mirash Ivanaji, një nga intelektualët më të shquar të Shqipërisë, po vuante. Unë, kur do të dilja nga burgu, i premtova se do të përpiqesha të takohesha me Mehmet Shehun, e t’i lutesha: “Lirojeni Mirash Ivanajin. Ai vetëm një gjë kërkon: një vend në Bibliotekën Kombëtare, për të punuar.

Po të doni, lidheni dhe në tryezë…! Ai vetëm të punojë kërkon”. – Ja, këtë faj timin, e njoh si faj të rëndë, se ai në Bibliotekë, do të kishte punuar dhe do t’i kishte dhënë kulturës sonë, sigurisht, po ta kishin liruar. Pra, erdhi koha dhe më 15 maj të vitit 1950, u lirova pas një gjyqi ushtarak, krejt formal, që më dënoi me tre vjetët e paraburgimit si “armik të popullit”.(?!) Tani, fillonte një odise edhe më e ndërlikuar. /Memorie.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!