Nga Bashkim Trenova
Memorie.al publikon kujtimet e gazetarit, publicistit, përkthyesit, studiuesit, shkrimtarit, dramaturgut dhe diplomatit të njohur, Bashkim Trenova, i cili pasi u diplomua në Fakultetin Histori-Filologji të Universitetit Shtetëror të Tiranës, në vitin 1966 u emërua gazetar në Radio-Tirana në Drejtorinë e Jashtme të saj, ku punoi deri në vitin 1975, kur ai u emërua si gazetar dhe shef i redaksisë së jashtme në gazetën ‘Zëri i popullit’, organ i Komitetit Qendror të PPSH-së. Në vitet 1984-1990, ai shërbeu si kryetar i Degës së Botimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shtetit dhe pas zgjedhjeve të para të lira në Shqipëri, në marsin e vitit 1991, u emërua në gazetën ‘Rilindja Demokratike’, fillimisht si zv/kryeredaktor dhe më pas kryeredaktor i saj, deri në vitin 1994, kur u emërua në Ministrinë e Punëve të Jashtme. me detyrën e Drejtorit të Shtypit dhe zëdhënës i asaj ministrie. Në vitin 1997, Trenova u emërua me detyrën e ambasadorit të Shqipërisë në Mbretërinë e Belgjikës dhe në Dukatin e Madh të Luksemburgut. Kujtimet e panjohura të z. Trenova, duke filluar nga periudha e Luftës, fëmijëria e tij, vitet e fakultetit, karriera profesionale si gazetar dhe studiues në Radio Tirana, gazetën ‘Zëri i popullit’ dhe Arkivin Qendror të Shtetit, ku ai shërbeu deri në shembjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, periudhë kohe, kur ai në rrethana të ndryshme u njoh me disa nga ‘familjet reaksionare’ dhe pinjollët e tyre, të cilët me një mjeshtëri të rrallë, i ka përshkruar në një libër me kujtime të publikuar në vitin 2012, me titull ‘Armiqtë e popullit’ dhe tani i sjell për lexuesit e Memorie.al.
Armiqtë e popullit
Si më mbrojti Robert Zhvarc, kur më sulmuan duke më akuzuar si bashkëpunëtor i Todi Lubonjës?!
Kiço, Dhori dhe Hasani, si edhe mjaft të tjerë në të gjithë Radio Televizionin, do të merrnin flamurin e luftës kundër liberalizmit, do të hiqeshin si viktima, si heronj që drejtori liberal i këtij institucioni, Todi Lubonja, kish dashur t’i eliminonte se ata ishin besnikë të Partisë etj.,etj. Për mua, Dhori Nini tha se kisha shërbyer si një mashë e ndërgjegjshme apo e pandërgjegjshme e Todi Lubonjës, të shpallur ndërkohë armik i Partisë dhe i popullit. Sipas Hasan Pincit, që trumbetonte fort ekzistencën e një komploti në Radio, unë për kritikat e mia drejtuar atij dhe të tjerëve, isha udhëzuar nga Nefo Myftiu. Sipas Hysen Pojanit, propozimet që u bënë në kolektiv për qarkullimin e disa kuadrove drejtuese të Radios së Jashtme, ishin bërë sipas disa listave të parapërgatitura nga Todi Lubonja dhe Nefo Myftiu. U kalua në ekstreme jashtë çdo logjike. Mua më akuzuan si komplotist, duke më krahasuar me Koxi Xoxen të pushkatuar nga Partia si tradhtar e armik.
Ishin po këta që jo shumë kohë më parë më kishin propozuar dhe miratuar për t’u dekoruar me motivacionin – “Në mbrojtje të vijës së Partisë”. Ishin po këta që më kishin bërë një karakteristikë për zili. Ishte Hasan Pinci që më kishte propozuar të bëhesha shef redaksie dhe që më kishte ngarkuar të bëja detyrën e shefit të Redaksisë në mungesë të tij. Ata kishin miratuar njëzëri kandidaturën time për t’u bërë anëtar i Partisë së Punës. Ishte Kiço Pandeli që i largonte me servilizëm tavllën e duhanit Todi Lubonjës, duke e shoqëruar këtë gjest me fjalët: “Nuk duhet të pini duhan shoku Todi, se ju bën keq për shëndetin”. Të gjitha këto i thashë në mbledhjen e kolektivit të Radios së Jashtme, kushtuar luftës kundër liberalizmit. Thashë gjithashtu se “heronjtë” e sotëm, janë spekulatorë. I’u përgjigja me nervozizëm provokimit të Vasil Ralit, një shef redaksie në Radion e Jashtme, që vijoi refrenin e atyre që mezi po duronin sa të lanin hesapet me mua, duke më quajtur “bashkëpunëtor” i Todi Lubonjës. E thërrita Vasil Ralin “maskara”, “maskara”, “maskara”.
Sigurisht nuk duhet të isha shprehur kështu, megjithëse edhe sot pas afro 40 vjetësh, nuk më vjen keq që i thashë ato fjalë, sepse i meritonte ai dhe të tjerët si ai. Kiço, Dhori e të tjerë, deshën të kapen pas kësaj fyerje që i bëra Vaskës, për të përligjur goditjen e tyre të fundit ndaj meje. Gabuan. Në sallë nuk u përkrahën. Më kujtohet Robert Shvarc, përkthyes i gjermanishtes, që u ngrit rrëmbimthi dhe po kështu rrëmbimthi tha: “Të mos qëndrojmë vetëm në fjalët e Bashkimit, por të shohim së pari përse i tha Bashkimi këto fjalë”. Referenca ishte e qartë, unë isha provokuar.
I kam vlerësuar gjithnjë si tepër kurajoze, sidomos për momentin si edhe për vetë pozitën e tij, fjalët e Robert Shvarcit në këtë mbledhje të kolektivit të Radio-Televizionit. Në atë kohë e dija se Robert Shvarc kishte edhe ai një njollë në biografi, megjithëse nuk e dija saktësisht se si dhe qysh e kishte “merituar” ai këtë. Në vitet e tranzicionit demokratik në Shqipëri, Nazif Bezhani, avokat, ka botuar një libër të titulluar “Mëkatarët”, duke cilësuar të tillë bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit. Në librin e tij ai përmend edhe një prej tyre, i cili, sikurse shkruan Bezhani, “kishte zbuluar në Institutin e Lartë Pedagogjik një veprimtari armiqësore, e cila udhëhiqej nga një grup studentësh të pakënaqur nga regjimi socialist”. Midis 3-4 emrave të “udhëheqësve” të përmendur me këtë rast, është edhe ai i Robert Shvarcit. Për këtë “grup” ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, kishte vënë në dijeni edhe vetë diktatorin Hoxha.
Rrëfimi i shokut tim, Enver Muça, se si ndiqej e survejohej Robert Zhvarc!
Më të plotë të vërtetën rreth ndjekjes së Robert Shvarcit nga Sigurimi i Shtetit, ma ka treguar shoku im dhe i tij, Enver Muça. Kur nisa të hedh në letër këto shënime, i kërkova Enverit të më ndihmonte duke më sjellë ndonjë kujtim rreth Robert Shvarcit. Atë që më dërgoi ai me e-mail, po e jap të plotë.
“Në vitin 1979, shkruan Enver Muça, unë punoja në Drejtorinë e Punëve të Brendshme Tiranë ose ndryshe: Drejtoria e Tiranës. Bëja stazhin e Partisë atje. Ne sektorin ku punoja, ditën e parë që nisa punën, më ra në dorë një dosje me të cilën duhet të merresha (krahas 10 apo 12 të tjerave). Mbi kapakun e saj të zbërdhulët, shqeva sytë kur lexova: “Robert Shvarc”. Pra Bertit të shkretë, i ishte hapur kjo dosje që nga viti 1965 ose 1966. Sipas rregullores së punës të asaj kohe, dosja herë “ulej” në një nivel të dytë e herë “ngrihej” në nivelin e parë, pra në atë që quhej e “rrezikshmërisë së lartë”. Berti “përpunohej” (në fakt përndiqej) si “agjent i mundshëm i shërbimeve të huaja» – pra si spiun i gjermanëve, por edhe i izraelitëve…! Bashkim i dashur! Nuk kam ndonjë interes për të shitur mend, apo për t’u dukur, por për hir të së vërtetës, po të të tregoj se unë bëra çmos deri sa arrita që dosjen e Bertit, ta ulja në kategori. Si pasojë, Berti u thërrit ne Komitetin e Partisë Tiranë, (nga sekretari i këtij Komiteti, Xhelil Gjoni, mesa mbaj mend), ku u këshillua dhe kështu shpëtoi nga një burgim i mundshëm. Me mbeti peng që këtë fakt nuk ia thashë sa ishte gjallë. Por ai ishte aq i zgjuar dhe e kishte kuptuar veprimin tim. Mos harro që Bertin e kisha edhe krushk. E motra e Bertit, është gruaja e një djali të hallës time, i cili ka rreth 19 vjet që jeton në Izrael”.
Ishin jo të shumtë njerëzit që edhe duke qenë në shënjestër të diktaturës, guxonin të ngriheshin në këmbë për të thënë të vërtetën, për të thënë atë që mendonin, sikurse bëri Bert Shvarci në mbledhjen e kolektivit të Radio Televizionit. Duhej shumë forcë, shumë karakter. I tillë ishte Shvarci dhe duke qenë i tillë, ai nuk mund të ishte i përkëdhelur prej diktaturës, ai ishte dhe shihej si kundërshtar i saj.
Me Robert Shvarcin kam punuar përgjatë disa viteve në Radion e Jashtme, unë si gazetar dhe ai si përkthyes i emisionit të gjermanishtes. Më kujtohet me portretin e tij të pandryshuar, një kapele të vogël republike në kokë dhe një cigare “përjetësisht” e pashuar, si një mini flakë olimpike, që varej në buzët e tij të zemëruara.
‘Konflikti’ i Zhvarcit me kolegun e tij në Radio, kur për luftën arabo-izraelite!
Berti ishte sa i dashur e i dhimbsur, po aq edhe inatçi e ndonjëherë edhe shpërthyes. Duke qenë me origjinë çifute, ngacmohej, gërricej duke qeshur me Tahir Pollozin, përkthyesin e arabishtes që, ose ishte me origjinë nga kolonia shqiptare e Egjiptit, ose kishte diçka arabe nga origjina e tij. Këtë lloj “spektakli” humoristik, ata nuk na e kursyen dhe na e dhanë, madje me bollëk, gjatë luftës gjashtë ditore izraelo-arabe të vitit 1967. Të dy edhe flisnin në emisionet përkatëse të gjermanishtes e të arabishtes. Ngjarjet në frontin e luftës zhvilloheshin me mjaft shpejtësi. Mundet që njëri prej tyre futej në studion e incizimit për të regjistruar lajmet mbi fitoren e ushtrisë së “tij” dhe të dilte prej saj duke i lënë vendin tjetrit, që e kishte tani radhën të lexonte ai lajmet mbi fitoret e ushtrisë së “tij”. Ne argëtoheshim me fitoret dhe disfatat e Bertit dhe të Tahirit ashtu si edhe vetë ata të dy, që ishin miq të mirë. Në një moment, për të mos pranuar disfatën, që nuk i takonte, Bert Shvarci nuk pranoi të përkthejë një lajm që fliste për fitoret e ushtrive arabe.Në të vërtetë ushtritë arabe në atë kohë ishin në tërheqje.
Punën e përkthyesit në Radio Tirana, Bert Shvarci e bënte si argat, i detyruar. Në shpirtin e tij ndrydheshin vargje, që nuk do t’i botonte kurrë, sepse sikurse ka shënuar në kapakun e fletores ku ato janë shkruajtur, “totalitarizmi edhe mendimet krejt personale e krejt pa të keq, i quante ideologji borgjeze me helm të sheqerosur kundër diktaturës së proletariatit”.
Robert Shvarcin do ta njihja ndër vite, ashtu si i gjithë brezi im, jo vetëm si një poet i talentuar, por edhe si një shqipëronjës i pakrahasueshëm. Ai bëri të flasin shqip personalitete të letërsisë botërore si: Erih Maria Remark, Goethe, Heine, Schiller, Brecht, Tucholsky, Weinert, Fallada, Remarque, Zweig, Lion Fojtvanger, Bertolt Breht. Me këtë punë gjigante, ai dha një ndihmesë tepër të fuqishme në shkatërrimin e kordonit “sanitar” nëpërmjet të cilit komunizmi e izoloi popullin dhe kulturën shqiptare. Ai është kështu faktikisht një nga pararendësit tanë, që vuri blloqe të fuqishëm në konstruksionin e integrimit shpirtëror europian të popullit shqiptar.
Në vitet e diktaturës, Berti na jepte të lexonin fshehurazi “Harku i triumfit” e ndonjë përkthim tjetër, që diktatura nuk pranonte të botoheshin. Pas përmbysjes së komunizmit, Shvarc është nderuar më 26 Maj të vitit 1995, nga Presidenti gjerman, Roman Hercog, me “Kryqin e Meritës”, e njohur si dekorata e parë e Gjermanisë për Vendet e Lindjes. Më pas u kujtuan ta nderojnë me tituj nderi edhe liderët e “demokracisë” në Shqipëri, për ta harruar sërish e për të mos thënë asnjë fjalë në varrin e tij. Fatmirësisht janë shumë, shumë larg tyre njerëzit e thjeshtë, miqtë e kolegët e tij, që kanë ditur dhe dinë ta nderojnë gjithnjë atë.
Kur vendosa të shkruaja këto radhë i kërkova edhe një shokut tim të vjetër, me të cilin kemi punuar së bashku në Radio, që të më kujtonte diçka nga vitet e punës me Robert Shvarcin. Ai më dërgoi një e-mail ku, midis të tjerave, shkruante: “Më ka rënë rasti që të kaloj vjet përmes Gjermanisë. Jemi ndalur edhe në qytetin Osnabrug ku, rastësisht mësova se ishte muzeu i Erih Maria Remark-ut, këtij shkrimtari shumë të dashur për brezin tonë, që na erdhi në dorë në sajë të përkthimit të Bertit të “Tre shokët”, por edhe të veprave të tjera të përkthyera nga Berti në vitet ’60. Atje kam parë edhe disa libra në shqip dhe kam lënë edhe një shënim në librin e përshtypjeve, ku kam përmend edhe Bertin, si nderim për të. Kam qenë edhe kur u festua 70 vjetori edhe në vdekjen e tij dhe kujtoj që ka patur, në të dy rastet, shumë njerëz”.
Fjalët e pakta të Bert Shvarcit në mbledhjen e kolektivit të Radios së Jashtme, kushtuar luftës kundër liberalizmit, sigurisht i ndjeva si një mbështetje, si një inkurajim për të mos u ligështuar. Kështu, në vazhdimin e mbledhjes së kolektivit kushtuar Plenumit të IV të Komitetit Qendror, kujtova se kritikat e mia ndaj drejtuesve të Radios së Jashtme, zinin fill që në vitet e para të punës në këtë institucion, pra kur drejtor i përgjithshëm ishte Thanas Nano dhe kur as që dihej nëse një ditë të bukur, Nefo Myftiu dhe Todi Lubonja, do të emëroheshin respektivisht: drejtoreshë e Radios së Brendshme dhe drejtor i përgjithshëm i Radio Televizionit Shqiptar. Kujtova gjithashtu, me këtë rast, se pas tri viteve punë, pra në vitin 1969, unë i kisha drejtuar një kërkesë me shkrim zyrës së kuadrit pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Radio Televizionit, nëpërmjet së cilës shprehja dëshirën time, për t’u larguar nga ky institucion për arsye të “vështirësive jo aq në punë, se sa në marrëdhëniet në punë”. Në këtë kërkesë theksoja se: jam përpjekur “shpesh të filloj edhe një herë, edhe një herë duke u munduar të gjej po atë dëshirë për punë…I sforcuar kaq herë, tani nuk mundem më”. Përmenda se Thanas Nano më thërriti, bisedoi me mua dhe më tha se kërkesa ime nuk pranohej. Tani, thashë në vazhdim, unë ndeshem me po ato probleme, që nuk kanë të bëjnë fare me liberalizmin, por me shqetësimin për punën dhe propagandën e Partisë”.
Si më kritikoi drejtori Thanas Nano, se kisha lënë mustaqe dhe pija duhan me llullë?!
Mua më kishte kritikuar dikur Thanas Nano sepse, për disa ditë, kisha lënë të më rriteshin mustaqet. Jo vetëm kaq, por edhe sepse pija duhan me llullë. Me të u ndeshëm një ditë në shkallët e institucionit. Nuk i kurseu fjalët. Për të, mustaqet dhe llulla ime, ishin shfaqje “snobizmi”! Për të shpëtuar nga ky etiketim bezdisës edhe politikisht për kohën kur kërkohej thjeshtësia proletare, i thashë Thanas Nanos, se edhe Stalini ka pirë me llullë, pra mos edhe ai ishte snob? Thanasi, i kapur ngushtë, sqaroi me të shpejtë se Stalini e kishte pirë duhanin me llullë, por jo me llullë me kapak. Këtu unë nuk isha i sigurt. Porsa u largua Thanas Nano, vrapova në korridor për të takuar Valian. Ajo ishte gruaja e Thimi Çollakut. Ishin njohur bashkë në Bashkimin Sovjetik, ku Thimi kishte qenë student për shkencat politike. E pyeta Valian nëse Stalini kishte pirë duhan me llullë me kapak apo pa kapak?! Valia më siguroi se Stalini i kishte përdorur edhe llullën me kapak edhe atë pa kapak. Kjo më qetësoi disi. Mbeteshin, sidoqoftë, mustaqet. Unë nuk i thashë Thanasit se edhe Stalini ka patur mustaqe!
Pas disa viteve nga ky takim me Thanas Nanon, mua më është dashur që në mbledhjen e kolektivit kushtuar Plenumit të IV të Komitetit Qendror të Partisë, të bëj një autokritikë të thelluar për mustaqet e mia, që tani nuk trajtoheshin më si shfaqje “snobizmi”, por si shfaqje “liberale”. Në këtë autokritikë kam pranuar se: “kam patur edhe unë, qoftë në paraqitjen e jashtme, qoftë edhe në punë, të meta, shfaqje që mund të cilësohen si liberale. Kështu mund të jetë, p.sh., trilli i mbajtjes së mustaqeve për disa ditë në një formë që mund ta gjejnë tek mandarinët kinezë, tek zaparozhasit, tek revolucionarët demokratë në vende të ndryshme, mundet ndoshta tek intelektualët majtistë të perëndimit, apo edhe tek luftëtarët e Skënderbeut, por jo në ditët tona tek ne. Megjithëse një trill disa ditor e jo një shije, tendencë apo predispozitë liberale, unë nuk duhet t’ia lejoja këtë vehtes”.
E gjithë kjo sot mund të duket një skenë komike absurde, por në ato vite absurdja ishte normë morale, ideologjike e politike. Ne të gjithë ishim personazh absurdë të një realiteti absurd, të një shoqërie absurde. Sot nuk jam në gjendje të gjykoj nëse kam qenë i sinqertë në këtë autokritikë, kam qenë i trembur apo thjesht kam ironizuar, duke u hequr si i sinqertë!
Pasi u shpjegova edhe për mustaqet, më duhej të hidhja poshtë edhe akuzën sipas së cilës unë, sipas detyrave të ngarkuara nga Todi Lubonja, kam dashur të liberalizoja emisionet e Radio Tiranës për jashtë, d.m.th., të sabotoja revolucionin proletar në botë, mision ky që ishte marrë përsipër të udhëhiqej nga diktatori ynë, i cili mendonte, ndoshta, se do të hynte në histori si klasiku i pestë i marksizmit pas Marksist, Englesit, Leninit dhe Stalinit.
Konkretisht unë u kritikova sepse përpara rreth një viti, në rubrikën “Përgjigje letrave të lexuesve” të huaj, kisha dhënë për transmetim edhe një këngë nga muzika e lehtë shqiptare. Kënga titullohej “Lule limoni”. Kjo ishte një këngë e gëzuar që transmetohej nga Radio Tirana në emisionet e saj muzikore, pra nuk bënte pjesë në fondin e zi të fonotekës së Radios. Kënga në vetvete, nuk paraqiste problem. “Krimi” që kisha bërë unë, ishte se në emisionet për jashtë, kisha futur për herë të parë në historinë e tyre një këngë të muzikës së lehtë. Në botën borgjezo-revizioniste, siç quhej në atë kohë në propagandën zyrtare i tërë globi, duke përjashtuar Shqipërinë, proletariati, demokratët e vërtetë, popujt e shtypur e shihnin revolucionin jo më thjesht si një aspiratë, por si një problem të shtruar për zgjidhje. Kështu, muzika revolucionare, duhej te luante edhe ajo rolin e saj apo, më mirë, kishte edhe ajo rolin e saj. Me këngën “Lule limoni”, unë e kisha zhvendosur atë, kisha minuar misionin e saj historik!
M’u desh të shpjegoja se muzika e lehtë në vetvete, nuk është as liberale dhe as kundërrevolucionare. Mu desh të gjej edhe një argument të pranueshëm. “Ne, shtova unë, themi ndonjëherë përse radiostacionet e huaja nuk transmetojnë muzikën tonë? Kjo ndodh sepse atyre nuk u intereson, sepse një gjë e tillë nuk përputhet me qëllimet dhe interesat e borgjezisë. Atëhere, mendova unë, përse mos ta transmetojmë ne këtë muzikë të bukur»?!
Duke i kujtuar sot të gjitha këto momente të jetës time, më duket një çmenduri e vërtetë, por ne edhe jetonim në një çmenduristan. Edhe kurajo ime ishte e çmendur, njëlloj si besimi im i çmendur tek Partia.
Lufta e drejtuesve të Radios së Jashtme, për të mos më pranuar mua në Parti?!
Atë që nuk e arritën dot në mbledhjen e kolektivit të Radios së Jashtme, ‘trojka’, u orvat ta arrijë jashtë mureve të Radios, aty ku bëja stazhin unë, në Ofiçinën e Automjeteve të Ndërtimit, ndryshe OAN, por tani jashtë vështrimit tim, në mungesën time. Sazan Qalliu, sekretari i organizatës bazë të Partisë dhe njëkohësisht shefi i repartit të motorrave, ku bëja stazhin unë, më tregoi se si një ditë, pa pritur, Dhori Nini kishte arritur në OAN. Dhori i kishte folur atij për qëndrimet e mia “liberale”, nënkupto armiqësore ndaj Partisë, dhe kishte kërkuar që organizata e Partisë e OAN-së, të mos më pranonte mua si anëtar të Partisë së Punës. Po të arrinin këtë gjë, dosja ime mbyllej përfundimisht, jeta ime do të rrokullisej, si sa e sa jetë të tjera. Sazani nuk kishte rënë dakord me Dhorin.
Drejtuesit e Radio Tiranës ishin të vendosur të më groposnin përfundimisht dhe nuk u tërhoqën nga ky qëllim edhe pasi nga OAN u kthyen pa rezultat. Ata e vranë mendjen e tyre shterpë dhe pollën një intrigë të re.
Sikurse kam thënë, në Radio Tirana punonin në ato vite disa çifte, përfaqësues të grupeve marksiste-leniniste nga vende të ndryshme të Europës dhe më tej saj. Unë kisha krijuar një miqësi të pastër me Renée dhe Nils Anderson, miqësi që e ruajmë edhe sot e kësaj dite, d.m.th., pas rreth 45 vjetësh. Mbi këtë miqësi hodhën gurë Kiço Pandeli e të tjerë. Renée dhe Nils, në këtë kohë ishin larguar nga Shqipëria.
Cilët ishin Renee dhe Nils Anderson? Ky çift zviceran erdhi në Shqipëri me ftesë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, pra Nils dhe Renée, ishin miq të Partisë. Ata erdhën në vitin 1966 dhe punuan në Radio Tirana deri në vitin 1972. Renée gjatë kësaj kohe dha edhe mësim të gjuhës franceze në Universitetin e Tiranës. Përveç punës së përditshme në Radio Tirana, Nils Anderson, me kërkesë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, ndërmerrte herë pas here edhe ndonjë udhëtim në Evropë, për të kontaktuar me grupet marksiste-leniniste. Ai, së bashku me Renéen, korrigjuan edhe përkthimin në frëngjisht të disa botimeve të Enver Hoxhës. Vetë Enver Hoxha, me një letër drejtuar atyre, i ka falenderuar për ndihmesën, që kanë dhënë. Para largimit nga Shqipëria, atyre i’u akordua nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë edhe një dekoratë e lartë, si miq të Shqipërisë. Edhe pas largimit nga Shqipëria, ata janë kthyer në vitet e para, gjithnjë me ftesë të Komitetit Qendror të Partisë së Punës, për të kaluar pushimet në vendin tonë. Memorie.al