“Kujt i duket vetja Messi, s’ka vend te Shqipëria! Do u vija në çdo shtëpi për t’ju ftuar!”

schedule13:08 - 13 Nëntor, 2019

schedule 13:08 - 13 Nëntor, 2019

Edoardo Reja ka folur gjatë dhe ka prekur disa tema gjatë konferencës për shtyp. Nesër është ndeshja kundër Andorrës në Elbasan Arena (20:45), ndërsa të dielën në po të njëjtën orë zhvillohet dueli kundër Francës në stadiumin e ri kombëtar, “Air Albania Stadium”.

ANDORRA – “Kam lojtarë inteligjentë. Ja u kam transmetuar që ditën e parë që ndeshja me Andorrën është pika jonë e referimit. Nuk vlejnë rezultatet e fundit, nëse nuk fitojmë nesër. Duhet të rritemi edhe në aspektin psikologjik. Të gjithë duhet të japin 110%, Andorra e tregoi edhe kundër Turqisë që nuk ka kundërshtarë të lehtë. Duhet të japim gjithçka për këtë ndeshje”.

CIKALLESHI – “Cikalleshi ka dhënë gjithmonë rendiment të mirë. Është një mungesë e rëndësishme. Kam një grup lojtarësh me vlera të barabarta. Kemi 5 sulmues të tjerë, ka ardhur edhe Kamberi. Kemi Manajn, Uzunin, kemi zgjedhje të ndryshme, nesër do të vendos sipas gjendjes fizike. Do kem vështirësi në zgjedhje. Kemi krijuar një grup të mirë dhe kush zbret në fushë do të japë 100%. Kemi edhe Seferin e Balajn. Të gjithë janë të rëndësishëm”.

XHAKA – “Kam folur me të, jo direkt, por bashkëpunëtorët më treguan se nuk ka ardhur. I thashë që do të luash një nga dy ndeshjet. Ai më tha se në ndeshjen e fundit të kampionatit ka dalë 10 minuta përpara ndeshjes për një problem fizik. Më tha se do preferonte të qëndronte në shtëpi për t’u kuruar. Nuk ishte një zgjedhje e jona, por e tij”.

SKEMA – “4-3-3 ka qenë gjithmonë skema ime e preferuar, por duhet të punojmë shumë për t’u përshtatur me një skemë të tillë. Kemi pak kohë, prandaj kam zgjedhur skemën me dy sulmues. Në ndeshjet e fundit kemi sulmuar me katër lojtarë dhe kjo skemë na jep më prezencë në sulm. 4-3-3 na nevojitet të kemi dy sulmues krahu të shpejtë dhe dy anësorë mbrojtës që dalin shpesh në sulm.

Dua shumë densitet brenda zonës kundërshtare, kemi alternativa në fazën ofensive. Tani jemi mësuar të luajmë kështu, ndryshimi i skemës mund të na krijojë probleme. Të luash me 5 mbrojtës mendohet se je defensiv, por nuk është kështu. Lojtarët e krahut kanë detyra ofensive. Në fakt jemi me 3 mbrojtës. 3-5-2 nuk është modul defensiv, ne përpiqemi të kemi sa më shumë prezenca në zonën e kundërshtarit”.

SEFERI – KAMBERI – “Të dy kanë mundësi për të luajtur me Andorrën, nuk e di si titullarë apo gjatë ndeshjes. Kamberi ka punuar në mënyrë të diferencuar, ka një problem në kavilje. Nëse marr OK nga ai dhe stafi mjekësor, do ta aktivizoj. Të dy janë kandidatë dhe do të më pëlqente t’i aktivizoja dhe t’i njihja nga afër”.

MESFUSHA – “Kemi arritur një ekuilibër skuadre, të gjithë janë të qetë dhe janë të lumtur kur vijnë në skuadër. Kush vjen këtu duhet të jetë i qetë dhe nuk duhet të tregojë probleme. Të gjithë mund të luajnë, por vendimet i merr trajneri. Nëse duam një grup të fortë, që e do kombin dhe skuadrën, lojtarët duhet të vijnë edhe kur nuk luajnë. Gjithmonë është Shqipëria që zbret në fushë. Kush mendon se është Messi, nuk ka vend këtu. Më vjen keq për Grezdën, por nuk pranoi disa situata dhe pastaj refuzoi ftesën tonë. Të gjithë duhet të pranojnë situatën dhe vendimet e trajnerit”.

PROBLEMET – “Nuk kemi probleme, nuk ka situata tragjike. Kam 25 lojtarë në stërvitje. Unë zgjedh në bazë të momentit dhe karakteristikave. Nëse zgjedh gabim, merruni me mua. Unë dua që skuadra të jetë si një familje. Në familje ndodh gjithçka, por rëndësi ka që të sqarosh gjithçka brenda. Shpesh jeni ju gazetarët që nxirrni në pah çështje që nuk na takojnë. Kush nuk dëshiron të qëndrojë mund të largohet. Duhet të vazhdojmë të luajmë me intensitet të madh në çdo ndeshje. Mjafton të mendojmë qindra mijëra shqiptarët që na ndjekim ne pasion, e shikojnë kombëtaren si një dritë për kombin e tyre”.

TIFOZËT – “Një mesazh që të vijnë edhe për Andorrën? Nëse do mundja, do shkoja në gjithë shtëpitë e tifozëve për t’i bindur që të vijnë në stadium kundër Andorrës. Të tregohet pak konsideratë për skuadrën. Kemi bërë mirë, kemi bërë lojë të pëlqyeshme, kemi shënuar gola dhe tifozët duhet të vijnë për t’u argëtuar. Kush ka mundësi, do të më pëlqente të vinte për lojtarët, jo për mua. Ata kanë nevojë për motivim dhe është kënaqësi kur sheh tifozë në stadium”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!