Në kohën moderne, të gjithë duan të jetojnë më gjatë dhe i druhen plakjes dhe shenjave të saj në fytyrë.
Kjo është edhe arsyeja përse njerëzit kanë interes jo vetëm ndaj kremerave dhe ndërhyrjeve të shtrenjta por edhe dietave dobësuese.
Sikur të mos mjaftonte, mosha, ushqyerja, mjedisi e të tjera si këto, së fundmi plakjen po e nxit edhe përdorimi i teknologjisë.
Së fundmi, shkencëtarët kanë zbuluar se drita blu që lëshon nga telefoni, tableti apo kompjuteri ka një ndikim të fortë në jetëgjatësinë tonë.
Shkencëtarët në Universitetin Shtetëror të Oregonit kanë zbuluar se qelizat e lëkurës janë tepër të brishta dhe nuk e përballojnë mirë dritën blu.
Për më tepër, pigmenti i lëkurës nis e shuhet si pasojë e ekspozimit afatgjatë ndaj dritës blu, duke shkaktuar kështu njolla dhe humbje të ngjyrës së njëtrajtshme të lëkurës.
Kësisoj, paraqitja e lëkurës është më e plakur.
Këtë teori e mbështesin edhe dermatologët.
Sipas tyre, drita blu penetron në shtresat e thella të lëkurës, duke i bërë ato më të holla e si rrjedhojë duke e bërë lëkurën më të brishtë.
Nga ana tjetër, drita blu ndikon edhe tek prodhimi i melatoninës.
Kjo e fundit luan një rol të rëndësishëm në rregullimin e orës biologjike dhe tek cilësia e gjumit.
Mungesa e gjumit nga ana tjetër, përveç ndikimit në shëndetin e përgjithshme, lë gjurmë edhe në lëkurë.
Mungesa e gjumit dhe çrregullimi i orës së trupit ndikon tek hormonet, të cilat janë faktorë edhe në shfaqjen e sëmundjeve të rrezikshme siç janë kanceri i gjirit dhe i prostatës.
Efektet në organizëm
Sipas ekspertëve, jetëgjatësia e njeriut është rritur dramatikisht në shekullin e shkuar.
Kjo ka ndodhur falë aftësisë së njeriut për të trajtuar sëmundjet.
Megjithatë, njerëzit po kalojnë gjithnjë e më shumë me celularin në dorë, një burim i vazhdueshëm i dritës blu që shkatërron lëkurën.
Ekspertët bien dakord që disa njerëz nuk e kanë as luksin e as mundësinë të heqin dorë nga telefoni apo laptopi.
Megjithatë, ata sugjerojnë mbajtjen e syzeve të përshtatshme që filtrojnë dritën blu dhe na mbrojnë sytë.