Parlamenti kubanez ka zgjedhur Migel Diaz Kanel si kandidatin e vetëm për zëvendësimin e Raul Kastros në krye të shtetit, një lëvizje kjo që i jep fund dominimit disadekadësh familjar.
Asambleja Kombëtare, organi legjislativ i Kubës, voton të enjten për emërimin e Diaz Kanel dhe është thuajse e sigurtë se ai do të konfirmohet në postin e ri. Sidoqoftë, 86-vjeçari Raul Kastro do të vazhdojë të mbetet një figurë influente në vendimmarrjen politike të vendit. Me të marrë në dorë frenat e pushtetit, liderit të ri do t’i duhet të përballet me një vend ekonomikisht të rraskapitur dhe me moshën e re që pret me padurim ndryshimin.
Gjithashtu, një tjetër detyrë komplekse do të jetë udhëheqja pa mentalitetin revolucionar të parardhësve të tij. Diaz Kanel ka mbajtur një profil politik të ulët deri në vitin 2013, kur u emërua nënkryetar i Këshillit të Shtetit dhe që prej atëherë u bë krahu i djathtë i Raul Kastros. /abcnews.al