Drejtori i Përgjithshëm i kompanisë ruse të naftës Rosneft, Igor Sechin, u takua me presidentin e Kubës, Miguel Díaz-Canel, vendi i të cilit po përballet me një mungesë akute karburanti, duke rezultuar në mbylljen e përkohshme të pikave të karburantit dhe formimin e radhëve të gjata.
“Sechin i tha Dias Kanel të shtunën se kur bëhet fjalë për çështjet që lidhen me Kubën, presidenti rus Vladimir Putin i mbikëqyr drejtpërdrejt dhe personalisht ato”, tha zyra e Dias Kanel.
Tweetet e postuara në llogarinë e presidencës kubane theksonin marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, por nuk specifikuan arsyen e takimit.
Sechin ishte takuar gjithashtu me zëvendëskryeministrin kuban Ricardo Cabrisas për të diskutuar “bashkëpunimin e ndërsjellë, veçanërisht në sektorin e energjisë”, sipas një deklarate nga presidenca të dielën.
Ai do të vizitojë edhe Venezuelën me rastin e dhjetëvjetorit të vdekjes së Presidentit Hugo Chavez, një aleat i ngushtë i Kubës dhe Rusisë.
Ish-udhëheqësi kuban Raul Castro ka fluturuar gjithashtu në Karakas për këtë rast, raportuan mediat shtetërore kubane.
Kuba komuniste po përballet me krizën e saj më të keqe ekonomike në dekada. Prodhimi iu shkatarrua nga pandemia e koronavirusit dhe sanksionet e SHBA kanë ndikuar në ekonominë e vendit.
Radhët e gjata me orë të tëra për ushqim, karburant dhe ilaçe kanë shkatërruar ishullin dhe kanë kontribuar në një eksod masiv të kubanezëve gjatë vitit të kaluar, shumë prej të cilëve u drejtuan për në Shtetet e Bashkuara.
Në shkurt, Rusia i dha Kubës një donacion “emergjent” prej 25,000 tonë grurë për të luftuar mungesat në ishull, ndihma e dytë në një vit.
Rusia, e goditur nga sanksionet perëndimore për luftën në Ukrainë, po kërkon të forcojë lidhjet politike dhe ekonomike me vendet e tjera që kundërshtojnë atë që ajo e quan hegjemonia e SHBA.
Kuba ka qenë nën një embargo ekonomike të SHBA-së që nga viti 1962 pas revolucionit komunist të udhëhequr nga ish-udhëheqësi Fidel Castro. /abcnews.al