Kuba anulon paradën e 1 majit për shkak të mungesës së naftës

schedule08:47 - 1 Maj, 2023

schedule 08:47 - 1 Maj, 2023

Qeveria komuniste e Kubës vendosi të anulojë paradën tradicionale të 1 majit për shkak të mungesës të karburantit. Çdo vit qindra mijëra njerëz mblidhen nga i gjithë ishulli për të mbushur Sheshin e Revolucionit në Havana në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve.

Kjo është hera e parë që nga revolucioni i vitit 1959 që festimet anulohen për arsye ekonomike. Javët e fundit janë krijuar radhë të gjata në pikat e karburanteve, ku shoferët presin me ditë të tëra për t’u furnizuar.

Në fillim të muajit, presidenti Miguel Diaz-Canel tha se Kuba po merrte vetëm dy të tretat e karburantit që i nevojitet, duke shtuar se furnitorët nuk po përmbushnin detyrimet kontraktuale.

Dërgesat e naftës së papërpunuar me cilësi më të lartë nga Venezuela, ofruesi më i madh i karburantit në Kubë, kanë rënë me 50% vitet e fundit. Analistët thonë se Venezuela po përjeton vetë probleme të rënda dhe e ka gjithnjë e më të vështirë të subvencionojë aleatin e saj socialist.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!