Sot do të luhen 12 ndeshje të grupeve për kualifikueset e Euro 2024.
Në fushë do të zbresë edhe Kosova, ku dardanët do të ndeshen në transfertë ndaj Bjellorusisë.
Në Grupin B, Franca do të presë në shtëpi Greqinë. Edhe pse “Gjelat” shihen si favoritë në këtë sfidë, Greqia ka treguar se mund të jetë një ekip sfidues për t’u pozicionuar në vendin e dytë të tabelës. Deri më tani, Franca kryeson grupin me 9 pikë, ndërsa Greqia ndodhet në vendin e dytë me 6 pikë. Po në këtë grup, sot do të ndeshet Irlanda me Gjibraltarin. Të dyja skuadrat pozicionohen në dy vendet e fundit të tabelës dhe të dyja janë me nga zero pikë.
Në Grupin C, Ukraina kërkon fitoren sot ndaj Maltës për të vazhduar një seri rezultatesh pozitive dhe për të tentuar të blindojë vendin e dytë në tabelë. Gjithashtu, në këtë grup sot do të ndeshet edhe Anglia me Maqedoninë e Veriut. Sigurisht që “Tre Luanët” janë favoritë dhe kërkojnë vetëm tre pikët, por nga ana tjetër Maqedonia e Veriut do të tentojë të marrë një pikë pozitive për të mos shuar shpresat e një kualifikimi të mundshëm nga kjo fazë, edhe pse shanset janë të pakta. Grupi C sheh në krye të tabelës Anglinë me nëntë pikë, në vendin e dytë Ukrainën me tre pikë, në vendin e tretë Italinë me tre pikë, në vendin e katërt Maqedoninë e Veriut me po tre pikë dhe në vendin e fundit Maltën me zero pikë.
Grupi D do të shohë sot në fushë dy përballje. Armenia do të ndeshet në shtëpi me Latvinë dhe Turqia me Uellsin, me këtë të fundit që parashikohet të jetë një ndeshje me gola dhe emocionuese. Aktualisht në këtë grup, në vendin e parë pozicionohen turqit me gjashtë pikë, në vendin e dytë Kroacia me katër pikë, në vendin e tretë Uellsi me po katër pikë, në vendin e katërt Armenia me tre pikë dhe në vendin e fundit Latvia me zero pikë.
Në Grupin H sot do të luhen tre përballje. Finlanda do të presë në shtëpi San Marinon, Irlanda e Veriut Kazakistanin dhe Slovenia do të përballet me Danimarkën. Aktualisht në krye të grupit ndodhen danezët me gjashtë pikë, në vendin e dytë Kazakistani me gjashtë pikë, Finlanda me gjashtë pikë në vendin e tretë dhe Slovenia në vendin e katërt me po gjashtë pikë, pra janë katër ekipe me pikë të barabarta në renditje. Irlanda e Veriut dhe San Marino pozicionohen në vendin e pestë dhe të gjashtë me përkatësisht tre dhe zero pikë.
Grupi I sot do të shohë Kosovën të futet në fushë si mike kundër Bjellorusisë. Dardanët duhet të marrin me patjetër një fitore sot dhe të shpresojnë te fitorja e Zvicrës ndaj Rumanisë, për të bërë të mundur kështu tentativën deri në fund për të dalë nga grupi. Përveç këtyre dy ndeshjeve, gjithashtu do të luhet edhe Izrael-Andora. Aktualisht në këtë grup, Zvicra kryeson me 9 pikë, Rumania në vendin e dytë me shtatë pikë, Izraeli me katër pikë në vendin e tretë, Kosova në vendin e katërt me tre pikë, Andora në vendin e pestë me 1 pikë dhe Bjellorusia në vendin e fundit pa asnjë pikë./h.ll/abcnews.al