Kualifikueset e Evropianit të vajzave/ Ja çfarë duhet të dini për shortin dhe rivalet e mundshme të Shqipërisë

schedule10:56 - 4 Mars, 2024

schedule 10:56 - 4 Mars, 2024

Shqipëria e vajzave do të njohë të martën e 5 marsit, kundërshtaret për kualifikueset e Europianit “Zvicër 2025”. Në shortin që do të hidhet nesër në ora 13:00 në selinë e UEFA-s në Nyon të Zvicrës, 51 skuadrat që do të marrin pjesë në këto kualifikuese do të jenë të ndara në tre Liga, A (16 skuadra), B (16 skuadra) dhe C (19 skuadra).

Kombëtarja e vajzave ndodhet në Ligën C në vazon e parë dhe në të njëjtën vazo me kuqezezat janë edhe Bjellorusia, Greqia, Rumania dhe Sllovenia.

Kundërshtaret e tjera të Ligës C, që priten të jenë edhe rivalet e mundshme të Shqipërisë në kualifikueset e Europianit “Zvicër 2025” janë të ndarë në dy vazo të tjera. Në vazon e dytë janë pesë skuadra: Bullgaria, Estonia, Letonia, Lituania dhe Mali i Zi. Ndërsa në vazo e tretë janë nëntë skuadra: Andorra, Armenia, Qipro, Ishujt Faroe, Gjeorgjia, Kazakistani, Luksemburgu, Moldavia dhe Maqedonia e Veriut.

Liga A dhe B që kanë nga 16-të skuadra do të ndahen në katër grupe me nga katër ekipe. Ndërsa Liga C në të cilën bën pjesë dhe Shqipëria do të ndahet në pesë grupe. Katër grupet e para me nga katër ekipe, ndërsa grupi i pestë do të jetë me vetëm tre skuadra.

Pesë vendet e para nga secili grup në Ligën C do të kalojnë në Ligën B edicionin e ardhshëm kualifikues. Një mundësi e mirë për të kaluar në Ligën B do të jetë edhe si vendi i dytë, pasi tre vendet më të mira të dyta në Ligën C do të përballen me tre skuadrat më të mira të renditura në vendet e treta në Ligën B. Fituesit në edicionin e ardhshëm kualifikues do të luajnë në Ligën B, ndërsa ekipet që do të humbasin në Ligën C.

Ndeshjet kualifikuese do të zhvillohen sipas sistemit vajtje-ardhje. Gjithçka do të nisë në muajin prill të këtij viti, ku Shqipëria e vajzave do të zhvillojë dy sfidat e para, më pas në fundin e muajit maj dhe në fillimin e qershorit do të luhen dy ndeshjet e tjera. Ndërsa në muajin korrik do të zhvillohen dy sfidat e fundit të grupit.

Kalendari i ndeshjeve:

Ndeshja 1 & 2: 3-9 prill 2024

Ndeshja 3 & 4: 29 maj – 4 qershor 2024

Ndeshja 5 & 6: 10-16 korrik 2024

Pas përfundimit të sfidave kualifikuese, do të nisë faza Play-off që do të përcaktojë ekipet që do të kualifikohen për në Europianin “Zvicër 2025”. Tetë skuadrat më të mirë të Ligës A, katër vendet e para dhe të dyta të çdo grupi do të kualifikohen automatikisht për në Euro 2025.

Ndërsa, katër skuadrat e vendin të tretë dhe të katërt të çdo grupi në Ligën A do të kalojnë në raundin e parë të Play-off-it ku do të përballen me pesë vendet e para të çdo grupi në Ligën C dhe tre vendet e dyta më të mira në këtë ligë. 16 skuadrat do të përballen në vazon e parë të Play-off-it me sistem vajtje-ardhje dhe në raundin e dytë do të kalojnë tetë skuadrat më të mira.

Ndërsa në vazon e dytë të raundit të parë të Play-off-it do të përballen, katër vendet e para, të dyta dhe të treta të Ligës B me sistem vajtje-ardhje dhe në raundin e dytë do të kualifikohen gjashtë ekipet më të mira.

Më pas, skuadrat e kualifikuara në raundin e dytë do të përballen më njëra-tjetrën, po me sistem vajtje-ardhje nga ku do të përcaktohen edhe shtatë ekipet e tjera që do të shkojnë në finalet e Europianit.

15 skuadrat do t’i bashkangjiten Zvicrës, që është e kualifikuar automatisht si vendi organizator dhe do të luajnë shancet për fitimin e trofeut të Europianit për vajza, i cili do të zhvillohet në datat 2-27 korrik 2025.

Shorti i fazës Play-off: 19 korrik 2024

Raundi i parë: 23-29 tetor 2024

Raundi i dytë: 27 nëntor-3 dhjetor 2024  /FSHF

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!