Kualifikueset e Botërorit, Reja: Ishim pa fat në short, uroj të mos jetë në formë Leva

schedule19:54 - 7 Dhjetor, 2020

schedule 19:54 - 7 Dhjetor, 2020

Edoardo Reja, trajneri i kombëtares shqiptare, pas hedhjes së shortit për kualifikueset e Katar 2022 ka dalë në një video-konferencë dhe ka ndarë mendimet e tij me gazetarët. Kuqezinjtë do të përballen me Anglinë, Poloninë, Hungarinë, Andorrën dhe San Marinon.

“Nuk ishim me fat te shorti, them se na ka penalizuar. Anglia është kokë grupi dhe dihej që do na binte një ekip i fortë, ndaj pranohet. Polonia është e fortë, na ra një nga më të fortat në vazon e dytë. Hungaria tani po bën shumë mirë.

Shpresoja në grup tjetër, te Danimarka e Kroacia. Gjithsesi do të luajmë, edhe pse kemi pak shanse për vendin e dytë. Me San Marinon dhe Andorrën i llogaritin të gjithë pikë të plota dhe nuk ka nevojë për shumë komente”.

 

“Kundër Hungarisë është e pamundur të luajmë miqësore, shpresojmë të gjejmë zgjidhje tjetër për në qershor. Skuadra është në rritje. Shpresoj të kemi kondicionin fizik të duhur. Ne do provojmë gjithçka. Shpresoj që në mars të ketë tifozë në stadiume, pasi me ata mund të bëjmë paraqitje edhe më të mira”.

“Nuk është se nuk do t’i provojmë shanset tona. Do provojmë gjithçka në fushë. Është e vështirë, nëse kapim vendin e tretë do tregojmë se kemi rritje. Këto ndeshja na japin shumë eksperiencë. Nëse nuk ia dalim të kualifikohemi në Botërorit, atëherë do mundohemi të jemi gati për kualifikueset e Europianit. Sot votova Lewandowskin si lojtarin më të mirë dhe uroj të mos jetë në formë kur të luajë kundër nesh”.

“Në futboll nuk ka rezultate të sigurta. Edhe me Anglinë do provojmë, nuk e nisim ndeshjen si të mundur. Askush nuk e nis si i mundur. Duhen ndeshje të mira, sakrificë. Është grupi vështirë, por jemi të bindur se do u tregojmë të gjithëve kush jemi. Do të luftojmë fort. Do luajmë në Wembli, Anglia vjen në Tirana, do ketë spektakël. Uroj që të kemi tifozët, pasi me ata karikohemi dhe bëjmë ndeshje të mira”.

“Pres që lojtarët të rriten gjatë kësaj periudhe. Në ndeshjet e fundit bëmë ndeshje të mira dhe treguam rritje, pavarësisht pikëve. Kemi bërë mjaft paraqitje të mira. Duhen kondicioni i duhur fizik për të bërë paraqitje të mira dhe që të mos parashikohesh”.

“Grupi ynë është i fortë. Do doja Kroacinë deh Danimarkën, pasi do kishim më shumë mundësi. Poloninë nuk do e doja. Nëse do të ishte një ekip tjetër nga vazo e dytë, do të isha i kënaqur. Me Hungarinë edhe rivalizojmë. Grupi ynë, nga ato me 6 skuadra, mendoj se është më i vështiri”.

“Shanset i kemi aty, është një grup i fortë. Jam i bindur se do të bëjmë ndeshje të mira me të gjitha ekipet. Meraku im është që të jenë në kondicionin duhur fizik kur të vijnë. Nëse ndodh kjo, atëherë mund të bëjmë ndeshje të mëdha. Në Nations League kemi gabuar kundër Lituanisë. Nëse nuk gabonim, atëherë do të kishim më shumë shanse. Me tre pikë më shumë do kishim renditje më të mirë dhe më shumë shanse për të shkuar në play-off përmes Nations League”. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!