Ishin vënë në dyshim, por nuk diskutuan asgjë. Gjermania dhe Holanda janë dy emra të mëdhenj të futbollit që e vendosën vetë fatin e tyre dhe do të shkojnë direkt në finalet e Kupës së Botës.
“Teutoën” dhe “tulipanët” arritën madje fitore tepër të thella në shtëpi.
Gjermanët mundën 6-0 Sllovakinë në Arenën e Lajpcigut, me një epërsi dërrmuese edhe pse ky ishte derbi i grupit. Dy skuadrat ishin me pikë të barabarta, nga 12, dhe sllovakët e kishin fituar duelin direkt në Bratislavë 2-0.
Voltemade shënoi golin e parë, Gnabri dyfishoi dhe pastaj erdhën dy rrjeta nga Leroi Sane. E gjitha kjo që në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit rezultatin e plotësuan Baku dhe Uedraogo.
Holanda po ashtu fitoi thellë ndaj Lituanisë, 4-0 në Arenën “Johan Krujf” të Amsterdamit.
Ish-ylli i Milanit, Reijnders, që sot është tek Mançester Siti, realizoi në pjesën e parë, ndërsa pas pushimit, kur ishte zhvilluar rreth një orë lojë erdhën golat radhazi nga Gakpo me penallti, Çavi Simons dhe Malen.
“Portokallinjtë” e mbyllën grupin G me 20 pikë, tri më shumë se Polonia dhe me golaverazh të shkëlqyer, 27-4. Deri tani, në Kupën e Botës janë kualifikuar 34 skuadra nga 48 gjithsej që do të marrin pjesë.

