Banorët e Roskovecit, ndërtesat e të cilëve duhet të shemben nga projekti për rehabilitim e qendrës së qytetit kundërshtojnë vendimin e bashkisë.
Edhe pse pronarët e një godine janë në proces gjyqësor me bashkinë, ata kanë marrë njoftimin për prishjen e saj.
“Ku do të fle, jam veti i gjashtë, kërkoj zgjidhje të menjëhershme. Dje më kanë thirrur në Bashki më kanë thënë prona i takon bashkisë, me ç’të drejtë. Kur të mbarojë procesi gjyqësor le të vijë aty”, shprehet një banore.
Avokati i banorëve tha se njoftimi për të ndërhyrë forcat e IKMT për të prishur këto objekte është shtyrë.
“Nëse bën një njoftim publik, qytetari quhet i njoftuar pas dhjetë ditëve. Edhe sikur ta marrim të mirëqenë shkresën që për mua është e kundraligjshme, duhen dhjetë ditë që të vijnë dhe ta prishin”, thotë avokati i banorëve.
Nënkryetari Bashkisë Roskovec, Maks Goga u shpreh se plani rregullues për rehabilitimin e qendrës do të vazhdojë sipas projektit.
“Mbështetur në planin rregullues të qendrës së qytetit të Roskovecit të zonës numër dy kanë vazhduar të gjitha procedurat ligjore për problemet e prishjes dhe të shpronësimit. Për problemin në fjalë me vendimin e Këshillit të Ministrave të datës 31 tetor 2019 është shpronësuar i gjithë objekti, kati i parë dhe i dytë. Kati i tretë ka qenë jashtë kushteve ligjore”, u shpreh Maks Goga.
Në bazë të kërkesave ligjore, qytetarëve iu është lënë 5 ditë afat për të liruar godinën./abcnews.al