Kthimi i pushuesve, “Rrugorja” kontroll në akset nacionale, gjoba të majme për 222 drejtues mjetesh

schedule18:26 - 16 Gusht, 2020

schedule 18:26 - 16 Gusht, 2020

Policia e Shtetit njofton pasditen e së dielës situatën në akset rrugore të vendit, një pjesë e të cilave me fluks të shtuar për shkak të frekuentimit të bregdetit.

“Ka filluar kthimi nga zonat bregdetare, në drejtim të Tiranës dhe Morinës, i pushuesve që lëvizin në fundjavë.  Në të gjitha akset rrugore nacionale ka fluks të shtuar, por pa krijuar radhë e vonesa, fluksi është i rrjedhshëm”, thuhet në njoftimin e policisë që bën të ditur se po monitoron me 4 dronë parakalimet e gabuara dhe me 6 radarë shpejtësinë tej normave të lejuara.

“Deri në këto momente në akset Lezhë-Thumanë, Himarë-Vlorë-Fier-Durrës-Tiranë dhe Milot-Morinë, Gjiri i Lalzit-Maminas, Rrogozhinë-Elbasan, Korçë-Elbasan-Tiranë, janë evidentuar 45 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, të cilëve iu është pezulluar leja e drejtimit.

Janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative, në të gjitha akset rrugore nacionale, 222 drejtues mjetesh që kanë kryer parakalime të gabuara dhe manovra të rrezikshme në rrugë duke u bërë shkak për aksident rrugor. Njëkohësisht, shërbimet e Policisë Rrugore në të gjitha akset rrugore, kanë konstatuar lëvizje të çrregullta në rrugë apo manovra të rrezikshme dhe kanë ndaluar 37 drejtues mjetesh dhe motomjetesh”, thuhet në njoftimin e policisë.

Ndërkohë raportohet se është pezulluar patenta për 18 drejtues mjetesh që kishin rezultuar përdorues të alkoolit dhe janë vendosur 137 masa për përdorim të celularit, 87 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit dhe 21 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!