TIRANË– Analisti i njohur Mentor Nazarko, i ftuar në emisionin “Real Story” komentoi zhvillimet e fundit politike dhe sinjalet për rikthimin e Parlamentit në normalitet të plotë.
Ai shprehet se kjo zbutje e qëndrimit të opozitës dhe tërheqja e saj nga veprimet destruktive, më tepër duket se janë një imponim, që vjen nga partnerët ndërkombëtarë.
Më tej, Nazarko shtoi se opozita e ka kuptuar tashmë se veprimet e saj të zhurmës dhe kaosit nuk e çojnë askund dhe nuk i jep peshë politike.
“Mendoj se ky ngjan një zhvillim i përcaktuar dhe i imponuar në mos nga shumica, po nga parterët ndërkombëtar. Ata duan që në komunikimin ndërpartiak, opozitën ta përfaqësojnë interlekutorë që janë të pranueshëm për shumicën. E dyta, ka zëra për negociata të fshehta, jo publike sigurisht dhe këto ngjajnë të besueshme, pra janë pjesë në këtë zhvillimi zinxhirësh, që nis me ndryshimin e nënkryetarëve, por ama të cilat nuk i japin besueshmëri alternativës që përfaqësohet nga Berisha. Janë zhvillime të mirëpritura, për çfarë arsyesh? Ajo që po bën opozita sot, e them opozita, sepse është një eufemizëm për t’i përmbledhur në një etiketë të gjitha rrymat e saj, janë veprime të dëshpëruara. Edhe mendjet e arsyeshme dhe ato të paarsyeshëm janë të vetëdijshëm se veprimet e tyre nuk sjellin asnjë ndryshim pozitiv dhe në këtë kuptim nëse arrin të dalin nga zhytja dhe nga mbytja, ky është një lloj zhvillimi”, tha ai./ abcnews.al