Ndryshon moti, temperaturat e larta deri në 19-20° të ditëve të para të vitit të ri 2022, u lënë vendin reshjeve të dëborës. Gjatë natës së mbrëmshme reshjet e borës kanë përfshirë rrethin e Dibrës. Në qytetin e Peshkopisë bora ka zbardhur çatitë, rreth 3 cm, ndërsa në lartësi mbi 800 metra dhe zonat e thella malore trashësia kalon mbi 10 cm.
Situata rrugore vijon të jetë normale, kjo për shkak se bora nuk ka zënë shtresë në trupin e rrugës. Më problematike situata do të jetë në orët në vijim ku si pasojë e lagështirës dhe temperaturave që janë ulur ndjeshëm mund të ketë ngrica, në rrugët që lidhin Peshkopinë me Kukësin në Kalanë e Dodës pasi rruga ngjitet në lartësinë 1300 metra mbi nivelin e detit.
Reshje dëbore ka pasur edhe në Rrugën e Arbrit, në baypasin e Murrizit pasi lartësia arrin në 1260 metra, por pa krijuar probleme. Shkollat kanë nisur rregullisht mësimin. Furnizimi me energji elektrike vijon normalisht dhe nuk janë raportuar defekte as në zona të thella./ Abcnews.al