Kthehet basketbolli “magjik”/ NBA nis sezonin e ri, të gjithë në ndjekje të Boston Celtics

schedule17:16 - 22 Tetor, 2024

schedule 17:16 - 22 Tetor, 2024

Pritjes i erdhi fundi. NBA kthehet në parket për sezonin e ri të basketbollit amerikan dhe atij më të fortë dhe më spektakolar në botë.

Të gjithë janë në ndjekje të Boston, me kampionët në fuqi që do të ngrenë siparin me sfidën e parë në shtëpi kundër New York Knicks. Ndeshja në “TD Gardën” do të tregojë nëse Celtics janë në nivelin e parashikimeve, që i shohin ata sërish favoritë.

Jayson Tatum dhe shokët e tij kanë kuotat më të larta në Konferencën e Lindjes, por që në nisje kanë një test të vërtetë përballë njujorkezëve që janë forcuar shumë me transferimin e Karl-Anthony Towns dhe Mikail Bridges. Po ashtu, skuadrat e tjera që do të sfidojnë Celtics në Lindje janë Philadelphia, Orlando dhe Cleveland.

Sfida tjetër e mbrëmjes së parë të sezonit të ri në NBA është ajo mes Los Angeles Lakers dhe Minnesota Timberwolves.

Kjo sfidë pritet të hyjë në histori, pasi për herë të parë në basketbollin amerikan në parket do të zbresin baba dhe bir, teksa pasi luajtën në ndeshjet para sezonale, LeBron dhe Bronny James, përkatësisht 40 dhe 20 vjeç, do të kërkojnë fitoren e parë me Lakers.

“Mbreti” i NBA, luan sezonin e 22-të në karrierë, ndërsa djali I tij debuton mes shumë dyshimesh, nëse është gati për të luajt mes më të mëdhenjve të basketbollit.

Sa i përket parashikimeve në Konferencën e Perëndimit, skuadra kaliforniane është larg në renditjen e favoritëve.

Oklahoma City e Shai Gilgeous-Alexander ka kuotat më të larta, e ndjekur nga kampionët e 2023 Denver Nuggets dhe kampionët e fundit të Konferencës, Dallas Mavericks.

Ky sezon i ri i NBA vjen edhe me shumë rekorde të tjerë, mbi të gjithë ai që lidhet me shifrat për rinovimet e kontratave të disa prej “yjeve” të basketbollit amerikan si Stephen Curry, Devin Booker, apo Luka Doncic.

Ndeshja e parë e edicionin 2024/2025 të NBA mes Boston Celtics dhe New York Knicks është në program në orën 1:30 të mëngjesit të së mërkurës me orën shqiptare. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!