Medalistët e parë priten si heronj/Pritje speciale për delegacion olimpik shqiptar pas “Paris 2024”

schedule10:08 - 12 Gusht, 2024

schedule 10:08 - 12 Gusht, 2024

Një pritje speciale. Nuk mund të ndodhte ndryshe për medalistët Çermen Valiev dhe Islam Dudaev, por edhe për pjesën tjetër të delegacionit olimpik shqiptar që u kthye në atdhe pas triumfit në “Paris 2024”.

Në fillim nderimet zyrtare dhe fjalët e rastit nga kreu i Komitetit Olimpik, Fidel Ylli, kryetari i Bashkisë së kryeqytetit Erion Veliaj që mbështet sportistët si pjesë e Sport Klub Tiranës dhe presidentit të Federatës së Mundjes, Sahit Prizreni.

“Ditë e rëndësishme për sportin shqiptar pasi kemi hyrë në listë, kjo falë dy mundësave tanë të jashtëzakonshëm që na bënë krenarë që në arenën e Parisit ngritën flamurin shqiptar, që të gjithë e kemi endërruar që njëherë, që të shkonte në majat më të larta të sportit botëror. Ne të gjithë bashkë u munduam me bashkinë e Tiranës, ministrinë, federatën e mundjes. Këta sportistë janë gurë themeli për të ndërtuar një të ardhme për sportin shqiptar, për t’i dhënë sinjale qeverisë që duhet më shumë vëmendje se janë ambasadorët më të mirë të Shqipërisë”, u shpreh ndër të tjera Fidel Ylli.

Por një pritje më e bukur për kampionët ishte rezervuar jashtë, ku ishin mbledhur qindra njerëz për t’i pritur dhe për t’i nderuar për arritjen historike, siç ishin dy medaljet e para të Shqipërisë në Lojrat Olimpike.

Ashtu siç bëjnë zakonisht kampionët që flasin me vepra, dukshëm të emocionuar, medalistët Valiev dhe Dudaev thanë vetëm pak fjalë.

Dy mundësit shkruajtën historinë e sportit shqiptar në “Paris 2024”, ndërsa vëmendja menjëherë është drejtuar te Lojërat Olimpike të radhës, ato të “Los Anxheles 2028”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!