Kthehen mbetjet e Kurum/ Anija me 102 kontejnerë pritet të ankorohet në Portin e Durrësit

schedule10:32 - 28 Tetor, 2024

schedule 10:32 - 28 Tetor, 2024

DURRËS- Anija “Moliva” e cila ktheu nga Tajlanda 102 kontejnerë, që dyshohet se përmbajnë mbetje të rrezikshme, pritet të ankorohet në portin e Durrësit.

Gazetari i ABC News, Leonidha Musai, raportoi se anija aktualisht ndodhet 1.5 milje larg Portit të Durrësit, ndërsa në orët në vijim pritet të ankorohet.

“Ndodhet 1.5 milje larg Portit të Durrësit. Policia dhe kapiteneria e Portit të Durrësit po bashkëveprojnë me njëra tjetrën, ndërsa Autoriteti Portual po bën gati kalatat, për t’u dhënë hapësirë këtyre 102 kontejnerëve. Nuk ka ende një orar të përcaktuar se kur do të ankorohet anija në një prej kalatave të Portit të Durrësit”, tha ai.

Kontejnerët me mbi 2 mijë tonë mbetje nga djegia e hekurit dhe çelikut u nisën nga Porti i Durrësit që nga data e 4 gusht me destinacion final Tajlandën.

Drejtori ekzekutiv i “Biasel Action Network”, Jim Puckett, në një prononcim për mediat u shpreh se është i sigurt që këto kontejnerë përmbajnë mbetje të rrezikshme.

Ai kërkoi transparencë dhe analizë të plotë për këto mbetje të rrezikshme, që kanë dalë nga Kurum në Elbasan.

“Në jemi 95 % të sigurt, që kontejnerët përmbajnë mbetje të rrezikshme. Mbetjet duhet të shkojnë në mënyrë definitive në një landfill që është për mbetje të tilla”, tha ai.

Prokuroria e Durrësit pas hetimeve të kryera ka urdhëruar sekuestrimin e 102 kontejnerëve me mbetje./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!