Kryeziu: Rreth 29 mijë qytetarë të Kosovës në Shqipëri për fundjavë, fluksin nuk e shkaktuan masat e reja

schedule14:41 - 11 Prill, 2021

schedule 14:41 - 11 Prill, 2021

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, thotë se masat e reja kundër përhapjes së koronavirusit nuk kanë shkaktuar fluksin e kosovarëve për ta kaluar fundjavën në Shqipëri.

Sipas tij këtë fundjavë në drejtim të Shqipërisë kanë shkuar rreth 29 mijë qytetarë, ndërsa në prill të vitit 2019, kur nuk kishte pandemi, shtetin shqiptar e kishin vizituar rreth 30 mijë qytetarë.

Prandaj, ai thotë se masat janë vendosur për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve, megjithatë ato mund të arrijnë efektin vetëm nëse të gjithë së bashku tregojmë ndjeshmëri për ruajtjen e shëndetit.

“Sipas të dhënave zyrtare në dy ditët e fundit, të premten dhe të shtunën  janë regjistruar rreth 29 mijë persona që kanë dalë jashtë vendit në drejtim të Shqipërisë. Sa për krahasim, në vitin 2019, atëherë kur nuk kishte fare pandemi, në një fundjavë të krahasueshme, sikurse ajo e 27 dhe 28 prillit, që për shkak të Pashkëve ortodokse ishte fundjavë e zgjatur dhe me mot të ngrohtë sikurse kësaj fundjave, rreth 30 mijë persona ishin regjistruar të kenë dalë jashtë vendit në drejtim të Shqipërisë”, shkruan ai.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!