Kryetarja e KLGJ-së: Me hartën e re gjyqësore, është ulur koha që nevojitet për shqyrtimin e një çështjeje

schedule11:23 - 3 Korrik, 2023

schedule 11:23 - 3 Korrik, 2023

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami thotë se me hartën e re gjyqësore, për të shqyrtuar një çështje, do të duhet të paktën 6 herë më pak kohë, se sa duhej para fillimit të zbatimit të saj.

Gjatë raportimit në Kuvendin e Shqipërisë, për vitin 2022, Llagami u shpreh se koha mesatare e nevojshme për shqyrtimin e çështjeve ndryshon në varësi të gjykatave.

“Gjykata e Lartë, gjatë vitit 2022 ka funksionuar me 70% të gjyqtarëve dhe 74% të administratës gjyqësore, të parashikuar në organikë. Viti 2022 u përmbyll me një stok të reduktuar me 12% me një vit më parë. Gjithashtu, edhe Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsion, ndonëse ka funksionuar me 72% të gjykatës dhe nuk ka pasur ngarkesë të lartë të çështjeve, nuk ka mundur ta permirësojë performancën krahasur me vitin e kaluar. Përsa i përket Gjykatës së Posaçem të Shkallës së Parë për Korrupsion dhe Krimin e Organizuar, evidentohet se rritja e numrit të gjyqtarëve në vitin 2022, ka sjellë rritjen e tërësisë së treguesve të efiçencës në gjykatë.

Gjykatat e Apelit të Përgjithshëm kanë evidentuar një përkeqësim të efiçencës gjatë vitit 2022. Koha mesatare e nevojshme për shqyrtimin e çështjeve ndryshon në varësi të gjykatave. Problematikë paraqitet gjendja në Gjykatën e Apelit në Tiranë, ku tendenca për zgjidhjen e çështjeve, përpara zbatimit të hartës së re gjyqësore, përllogaritet se do shkonte në 16.4 vite. Me një Gjykatë të vetme Apeli, projeksionet tona tregojnë se koha e nevojshme do të jetë 6 herë më pak”, theksoi ajo./abcnews.al