Kryetarja e KLGJ: Me hartën e re gjyqësore qytetarët do të kenë akses të barabartë kudo që ndodhen

schedule12:53 - 14 Korrik, 2022

schedule 12:53 - 14 Korrik, 2022

Kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagani ka raportuar sot në Kuvend mbi veprimtarinë vjetore të institucionit që ajo drejton. Ndër të tjera, Llagani u ndal te harta e re gjyqësore që ka sjellë kaos në sistem, pasi avokatët kanë bojkotuar seancat gjyqësore.

Ajo theksoi se është kryer një cikël konsultimesh dhe më pas u ngrit grupi i punës për të hartuar riorganizimin e gjykatave. Sipas Llaganit me miratimin e kësaj harte të re synohet që qytetarët të kenë akses të barabartë në të gjithë vendin, kudo që ndodhen.

“KLGJ në bashkëpunim me ministrinë e Drejtësia përfundoi ciklin e konsultimeve e për hartën e re. U kryen konsultime me 6 grupe të interesit dhe dy takime me përfaqësues të shoqërisë civile dhe biznesit.

Opinioneve iu nënshtruan një procesi vlerësimesh. Në datë 10 qershor KLGJ miratoi grupin e punës për riorganizmin e gjykatave. Nga 22 gjykata në 13. Nga 6 gjykata apeli në një me seli në Tiranë. Nga 6 gjykata administrative në dy, me seli në Lushnje dhe Tiranë.

Me miratimin e hartës së re synohet që t’u ofrohet qytetarëve kudo që ndodhen akses i barabartë”, deklaroi Llagani. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!