Kryetari i Londrës, thirrje banorëve të shmangin transportin publik

schedule14:15 - 11 Maj, 2020

schedule 14:15 - 11 Maj, 2020

Kryetari i Bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, u ka kërkuar njerëzve që të vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi dhe të mos e përdorin transportin publik, pas njoftimit të qeverisë për lehtësime në masat e izolimit.

Ai i tha BBC-së, se të hënën, se ka pasur një rritje prej 10% në përdorimin e transportit të metrosë në Londër, krahasuar me të njëjtën kohë javën e kaluar.

“Mesazhi kryesor nga kryeministri mbrëmë dhe unë sot është që të mos përdorin transportin public,  transporti publik është vetëm për punëtorët thelbësorë”, tha ai.

Kryetari i Mançesterit, Andy Burnham, u bëri jehonë fjalëve të tij.

Ai këshilloi banorët që të jenë “shumë të kujdesshëm”.

Më 10 maj, kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, tha se nuk do të ketë dalje të menjëhershme nga izolimi, por do të fillojë lehtësimi gradual i masave.

Në një konferencë për media në Londër, Johnson tha se disa prej masavedo të lehtësohen, duke filluar nga kjo javë.

Nga e hëna, britanikët që nuk mund të punojnë nga shtëpia, do të shkojnë në punë, tha ai.

Ndërsa, nga dita e mërkurë, njerëzit do të lejohen të stërviten në natyrë, për sa kohë që ata i përmbahen udhëzimeve për distancim fizik.

Johnson, në muajin prill u infektua me koronavirusin e ri, dhe qëndroi për disa ditë në kujdes intensiv.

“Vendi do të rimëkëmbet nga kjo sëmundje djallëzore”, tha Johnson./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!