Kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, e cilëson si jashtëzakonisht të vështirë procesin e Vettingut. Në daljen e tij të parë pasi kaloi me sukes këtë proces, Dedja përdori një shprehje popullore duke thënë: “Të kalosh Vettingun në Shqipëri është si të kalosh varrin për së gjati”.
“Kjo reformë është shumë e nevojshme”.
Vetëm pak ditë pasi kaloi me sukses në filtrat e Vettingut, kryetari i Gjykatës Kushtetueses, Bashkim Dedja, pranoi të ndajë publikisht një vlerësim personal mbi këtë ligj.
“Ky ligj që është bërë duke përfshirë Kushtetutën dhe ligjin e Vettingut është një nga ligjet më të ashpra përsa i përket kësaj fushe dhe procedura që ndiqet është jashtëzakonisht e vështirë dhe unë do të përdor një shprehje, “të kalosh Vettingun në Shqipëri në këto kushte është njëlloj sikur të kapërcesh varrin për së gjati”, thonë shqiptarët”.
Dedja nuk rrëfeu detaje nga përvoja e tij personale gjatë shqyrtimit të përshtatshmërisë së tij në sistemin gjyqësor në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, ku u përfaqësua nga avokati i tij.
Duke iu referuar ngërçit, ku është futur Gjykata Kushtetuese për shkak të mungesës së gjashtë gjyqtarëve, Dedja tha se cila është rruga e vetme e zgjidhjes, sipas tij.
“Tashmë pritet të funksionojë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe të paraqesë organet të emërtesës për të bërë emërtimet e tyre. Siç e dini një pjesë e Këshillit janë në proces të Vettingut. Unë nuk mendoj se ka ndonjë zgjidhje të tjerë më të shpejtë”.
Bashkim Dedja sqaroi çfarë do të ndodhë nëse marrëveshja e pritshme e detit me Greqinë, pas nënshkrimit të saj kundërshtohet në Kushtetuese.
“Gjykata nuk refuzon, pranon të shqyrtojë”.
Aktualisht Gjykata Kushtetueses ka mbetur me vetëm tre anëtarë, një nga të cilët me mandate të përfunduar, ndërsa një tjetër në pritje për t’u thirrur në seancë dëgjimore para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. /abcnews.al