Kryesimi i nismave rajonale, ministri Hasani: Zgjerimi, projekti më i suksesshëm i Bashkimit Evropian

schedule17:30 - 27 Shtator, 2024

schedule 17:30 - 27 Shtator, 2024

Gjatë takimeve të nivelit të lartë të zhvilluara në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Shqipëria, si vend kryesues i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP) dhe Nismës së Evropës Qendrore (CEI), rikonfirmoi angazhimin e saj për të përshpejtuar procesin e integrimit evropian të vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Qendrore.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, vuri theksin te rëndësia e bashkëpunimit rajonal dhe shfrytëzimi i potencialit të përbashkët për të arritur zhvillimin ekonomik dhe sigurimin e një të ardhme më të begatë për qytetarët e rajonit.

“Ka më shumë gjëra që na bashkojnë sesa ato që na ndajnë, dhe ne duhet të përfitojmë nga mundësitë që na presin,” u shpreh Ministri Hasani.

Po ashtu, Ministri Hasani nënvizoi se avancimi i qëndrueshëm i procesit të integrimit evropian mbetet një prioritet kyç i kryesimit shqiptar të CEI.

Në të dyja nismat, Shqipëria ka rikonfirmuar angazhimin e saj për forcimin e stabilitetit, sigurisë, dhe klimës së investimeve në rajon, si dhe për mbështetjen e Ukrainës dhe përballjen me sfidat globale në kuadër të Agjendës 2030.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!