Kryesia e re e PD, përfaqësimi gjeografik në bastionet e zonat sfiduese

schedule17:15 - 20 Janar, 2019

schedule 17:15 - 20 Janar, 2019

Kur hartohet një listë me emra ka gjithmonë pakënaqësi nga radhët e atyre që nuk e gjejnë veten aty. Por më shumë se kjo, një kryesi partie është edhe përfaqësim i elektoratit në të gjithë vendin.

Ndër 15 emrat e votuar për anëtarë të kryesisë së Partisë Demokratike 10 vijnë nga radhët e deputetëve, të tjerët kanë mbajtur detyra brenda strukturave të selisë blu. Gjeografikisht duket se nuk është e gjithë Shqipëria brenda kësaj kryesie. Konkretisht, Tirana renditet qarku më i përfaqësuar me anëtarë të zgjedhur në kryesi.

Jorida Tabaku- Qarku Tiranë

Grida Duma- Qarku Tiranë

Oriola Pampuri- Qarku Tiranë

Pas kryeqytetit qarqet me më shumë të përfaqësuar janë ai i Durrësit dhe i Dibrës.

Nga qyteti bregdetar që ka humbur thellë dy zgjedhjet e fundit janë dy deputetë, kryesuesi i listës së deputetëve Oerd Bylykbashi dhe Florjon Mima. Dibra përfaqësohet me kryesuesen e listës Dhurata Çupi dhe të deleguarin e kryesisë së mëparshme Kreshnik Çollaku.

Shkodra, Bastioni i PD ka si përfaqësuese deputeten Izmira Ulqinakun. Një tjetër zonë e djathtë Kukësi përfaqësohet me deputetin e vetëm të PD-së, Flamur Noka.

Elbasani, qarku ku kryedemokratik Lulzim Basha ka triumfuar në vitin 2009, ka si përfaqësues, deputetin e vet Endri Hasa. Një qark i madh si Fieri përfaqësohet nga kryesuesi i listës së deputetëve në këtë zonë: Enkelejd Alibeaj

Ndërsa Korça përfaqësohet me një anëtar të Këshillit Kombëtar që është Fatbardh Kadilli. Qarqet Gjirokastër, Berat  e Lezhë nuk e gjejnë asnjë deputet që t’i përfaqësojë. As midis emrave të kryetarë të komisioneve përkatës e sekretarëve të përzgjedhur.

Kryetari demokrat ka paralajmëruar stinë protestash në mbarë vendin. Mbetet për t’u parë se cilët do të jenë ata që do të merren me organizimin e strukturave në degët e partisë në qarqet Gjirokastër Berat e Lezhë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!