Kryeqyteti i vetëm në botë me 1 të vdekur në aksident gjatë vitit 2019

schedule08:06 / 05/01/2020

Në Norvegji plani i qeverisë për të ulur numrin e aksidenteve fatale ka rezultuar me sukses.

Oslo është kryeqyteti i vetëm në botë që për vitin 2019 ka regjistruar vetëm 1 të vdekur në aksidente rrugore. Asnjë këmbësor apo çiklist nuk ka humbur jetën! Të dhënat janë zyrtare dhe janë bërë publike nga autoritetet norvegjeze.

Për vitin 2019, vetëm një person humbi jetën në aksident në Oslo, pasi makina e tij u përplas me një gardh.

Ulja drastike e numrit të aksidenteve në kryeqytetin norvegjez, por sidomos e përplasjeve me pasojë vdekjen, i atribuohet planit të quajtur “Vision Zero”. Iniciativa më e fundit konsiston në uljen e numrit të makinave në qendrën e qytetit. Shumë pak makina lejohen të qarkullojnë në qendër të kryeqytetit norvegjez, një nismë kjo që është zbatuar rregullisht gjatë 5 viteve të fundit. Po kështu, është ulur ndjeshëm edhe numri i parkimeve të automjeteve në qendër të Oslos. Këto vendparkime janë zëvendësuar me korsi biçikletash dhe shtim të trotuareve. Kjo ka ndikuar në uljen e trafikut në rrugët qendrore. Në shumë rrugë kryesore të Oslos ndalohet qarkullimi i makinave. Autoritetet vendore aplikuan vendosjen e tarifave dhe rritjen e çmimit të tyre për këdo që kërkonte të hynte me makinë në qendër të Oslos. Synimi ishte që deri në fund të vitit 2019, qendra e qytetit të ishte pa automjete.

Zyrtarët norvegjezë thonë se në shumë rrugë po bëhen ndryshime që kanë të bëjnë me masat mbrojtëse ndaj studentëve apo fëmijëve që përdorin biçikletën apo ecin në këmbë. Këto ndryshime kanë të bëjnë me mbylljen e disa rrugëve gjatë orarit të shkollës.

schedule08:06 / 05/01/2020